E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit mbërrijnë në Fier, nis shpërndarja e 3 mijë copëve

Më shumë se 3 mijë karta identiteti kanë mbërritur në qytet, duke startuar tashmë një tjetër fazë të rëndësishme të këtij procesi zinxhir. Pikërisht ditën e djeshme kanë mundur të marrin kartat e identitetit pikërisht ata persona që kanë aplikuar nga 17 shkurti, datë që startoi procesi, deri më 11 mars. Për këtë arsye, e për të përballuar fluksin e qytetarëve, në mjediset e bashkisë është hapur edhe një sportel i posaçëm ku qytetarë të shumtë janë drejtuar për të marrë mjetin e tyre të identifikimit. "Megjithëse u vonuan pak, jemi të gëzuar që më në fund arritëm të marrim kartën e identitetit. Shpresojmë që pas marrjes së këtij mjeti identifikimi të kemi më shumë lehtësi në të tjera procedura, për marrjen e dokumenteve, si dhe shërbime të tjera të domosdoshme, për të cilët harxhonim shumë kohë më parë", është shprehur Lumturi Zylali, një zonjë, e cila ishte ndër të parat që mori kartën e identitetit. Por procesi në fjalë është vlerësuar edhe nga vetë operatorët dhe punonjësit e gjendjes civile. Sipas tyre, ky proces do të jetë edhe finalizimi i një procedure të re, e cila u ndoq për herë të parë në Shqipëri dhe që mendohet se do ti vijë në ndihmë qytetarëve. "Sot kanë mbërritur edhe kartat e para, të cilat po shpërndahen për aplikuesit e parë. Deri në mesditë janë shpërndarë më shumë se 100 karta e ndërsa janë gati 3000 të tjera. Vetë qytetarët janë interesuar për të tërhequr kartat e identitetit, pas verifikimeve elektronike", ka bërë të ditur punonjësja e gjendjes civile, Arta Prifti duke vlerësuar këtë proces. Sipas saj, këto kohët e fundit ka rënë ndjeshëm numri i aplikantëve dhe gjithçka ka ardhur pas publikimit nga ana e qeverisë e kushteve të reja për kategori të caktuara. Një gjë e tillë, sipas Priftit ka ndalur vrullin e qytetarëve, të cilët presin për ulje të mëtejshme të çmimit të kartave të identitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›