E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, zbulohet arsenal armësh në banesën e Drumbës

Një arsenal i tërë armësh dhe municionesh është gjetur në shtëpinë e Drumbës, të arrestuarit të tri ditëve më parë nga Policia e Gjirokastrës për trafik droge. Burimet policore të Gjirokastrës kanë precizuar se nga puna hetimore dhe informacionet e marra në rrugë operative, specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, dje kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në banesën e shtetasit Fatmir Jashari me pseudonim Drumba. Si rezultat i këtij kontrolli të befasishëm është arritur të zbuloheshin sasitë e armëve dhe municioneve të strehuara në një nga ambientet e banesës të këtij shtetasi në qytetin e Sarandës. Tre armë zjarri automatike tip kallashnikov, 2 kg tritol, 680 kapsolla detonatore 50 prej të cilave kanë qenë të montuara me fije teli, 50 metra fitil ndezës, 1500 fishekë automatiku së bashku me gjashtë krëhëra të mbushur me fishekë, ka qenë sasia e arsenalit luftarak të gjetur në banesën e Jasharit. Kontrolli i befasishëm në banesën e njërit prej personave më të rrezikshëm dhe i skeduar për disa vepra penale nga ana e Policisë Shqiptare, është kryer nga ana e specialistëve dhe agjentëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me uniformat blu të Sarandës. Policia nga ana e saj ka përpiluar vendimin e ekspertimit teknik-balistik dhe kimik për lëndët plasëse dhe më pas ka bërë sekuestron e armëve dhe lëndëve plasëse në cilësinë e provës materiale. Materialet iu përcollën organit të akuzës së Gjirokastrës për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit Fatmir Jashari Drumba. Ky i fundit përveç akuzës së ngritur tri ditë më parë për trafikim të lëndëve narkotike, do ti duhet të përballet edhe me veprën tjetër penale të formuluar sot nga organi i akuzës, atë të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve. Aksioni i sotëm i Policisë së Gjirokastrës u ndërmor në vijim të operacionit të Koduar Rrëshqitja zhvilluar gjatë orëve të mbrëmjes së datës 29 mars ku u sekuestruan dy armë zjarri, rreth 50 kilogramë mariuanë dhe u arrestuan në flagrancë përveç Drumbës i quajtur Fatmir Jashari edhe Izet Boçka në aksin rrugor Gjirokastër-Muzinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›