E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, shiste drogë, arrestohet 23 vjeçari

Është vënë në pranga nga policia e Durrësit një i ri, i cili shiste drogë në qytetin e Durrësit. Bajram Elmazi, 23 vjeç me banim në lagjen numër 14 Durrës, është arrestuar nga efektivat e policisë së antidrogës në momentin që po tentonte të shpërndante drogën, të cilën e kishte ndarë në 14 qese farmaceutike, gati për shitje. Burime zyrtare nga policia e Durrësit bëjnë të ditur se në momentin e arrestimit, 23- vjeçari nuk ka bërë rezistencë dhe se gjatë kontrollit fizik të ushtruar mbi të i është gjetur sasia prej 50 gramë lëndë narkotike të llojit kanabis Sativa. Nga dyshimet e para të policisë mendohet se Elmazi është pjesë e një grupi shpërndarës të lëndëve narkotike në mjedise të tilla si pranë shkollave, në disko, pub, restorante etj. Por arrestimi i Elmazit nuk ka qenë i rastësishëm, pasi ai prej shumë kohësh ishte nën vëzhgim nga ana e agjentëve deri sa është kapur në flagrancë me drogën për shitje. Sipas policisë, i riu kishte dalë si zakonisht për të shitur lëndën narkotike pikërisht tek klientët e tij të rregullt. Ndërsa viktimat e tij sipas hetimeve të kryera nga policia mendohet të jenë kryesisht adoleshentë. Ky është personi i gjashtë që përfundon në prangat e policisë së Durrësit si shpërndarës droge brenda një harku kohor dy mujor. Pas prangosjes efektiva të antidrogës në bashkëpunim edhe me efektivat e sektorëve të tjerë të policisë së Durrësit kanë ushtruar kontroll të imtësishëm edhe në banesën e 23- vjeçarit, por nuk kanë gjetur atje lëndë narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›