Shkodër, prangoset francezi për trafik makinash
Policia ka arrestuar 20-vjeçarin Viktor Raymond Saint-Val. U kap në Muriqan me BMW të vjedhur në Francë
Sipas policisë, ai ka hyrë dhe dy herë të tjera në Shqipëri me makina të deklaruar të vjedhura dhe është larguar pa to
SHKODËR-Policia e Shkodrës ka ndaluar dje një francez 20-vjeçar nën akuzën e trafikut të mjeteve motorike të vjedhura. Viktor Raymond Saint-Val, me kombësi e shtetësi franceze është ndaluar pas urdhrit të lëshuar nga prokuroria e Shkodrës, pasika futur në Shqipëri një autoveturë të deklaruar të vjedhur në Francë. Sipas burimeve policore mësohet se të dielën, rreth orës 17.00, i riu nga Franca ka hyrë nga Mali i Zi në Shqipëri përmes pikëkalimit kufitar të Muriqanit. Ai është kontrolluar nga policia kufitare dhe është shoqëruar së bashku me mjetin me të cilin udhëtonte një fuoristradë tip BMW-X5 ngjyrë gri, me targë 42AFG93, prodhim i vitit 2005.
***
Pas verifikimeve të bëra në sistemin Times dhe kontrollit të të dhënave nga Interpol Tirana, ka rezultuar se ky mjet ishte denoncuar i vjedhur në Francë më datën 3.4.2008. Ndërkaq shtrirja e mëtejshme e hetimeve nxori në dritë se shtetasi francez kishte hyrë dhe dy herë të tjera në Shqipëri, në vitet 2006 dhe 2007. Sipas policisë ka rezultuar seautomjetet me të cilat ka hyrë në territorin tonë, në të dy rastet kanë qenë të denoncuara si të vjedhura në Francë. Pas ardhjes në vendin tonë, mësohet se ai e ka lënë Shqipërinë pa këto mjete.
***
Në bazë të këtyre të dhënave të grumbulluara, prokuroria e Shkodrës ka nxjerrë urdhër ndalimin për 20-vjeçarin, ndërkohë që policia ka bërë prangosjen e tij. Nuk është rasti i parë që shtetas të huaj kapen në territorin shqiptar me mjete motorike që deklarohen të vjedhura në vende të ndryshme dhe më pas vijnë e shiten këtu apo gjetkë. Në disa raste, janë vetë pronarët e këtyre mjeteve që bëjnë denoncim në vendet e tyre për vjedhjen e mjetit me qëllim që të përfitojnë siguracionin dhe më pas me këtë mjet hyjnë në Shqipëri ku e shesin dhe largohen. Në mjaft raste janë shtetas të huaj që e kryejnë këtë aktivitet, si italianë, malazezë, kroatë, boshnjakë, hollandezë, gjermanë, por dhe shtetas shqiptarë. Policia dyshon se ata janë pjesë e një trafiku ndërkombëtar mjetesh motorike të vjedhura dhe kanë bashkëpunëtorë shqiptarë. Raste të ngjashme të ndodhura në Shkodër kanë qenë ato të ndalimit të shtetasve të huaj si italianit Sartori në vitin 2002; Ugo Evangjelis në vitin 2004; Angjelo De Markos më 2005; Riccardo Zovadelli në vitin 2006; gjermani Mikael Gunter Ullbricht më 2006; Mirco Tagliani në vitin 2007 e të tjerë. Këta shtetas të huaj janë liruar me kusht nga gjykatat shqiptare, duke u deklaruar si persona jo të dëshirueshëm