Shkoder, rekord ndërtimesh në kryeqendrën e Veriut
Viti 2008 dhe fillimi i vitit 2009 konsiderohen si periudha më e mirë prej 18 vitesh për sa u përket investimeve në fushën e ndërtimeve nga kompanitë e huaja dhe bizneset private në qytetin e Shkodrës. Sipas zyrës së urbanistikës Shkodër, mësohet se për periudhën në fjalë janë arritur të vilen taksa nga ndërtuesit mbi 1,5 miliardë lekë. Kjo është edhe shuma më e madhe që ka grumbulluar Bashkia e Shkodrës që pas ndërrimit të sistemit politik në Shqipëri. Sipas shefes së Zyrës së Urbanistikës në Shkodër, Aida Shllaku, kjo shumë është arritur të mblidhet falë një politike transparente nga bashkia, lehtësirave në lejet e ndërtimit dhe shërbimeve të tjera që ka ofruar ky institucion, sipas kritereve ligjore pa asnjë preferencë. Sipas shefes së urbanistikës, 2 për qind e kësaj shume do të përdoret për investim në infrastrukturën e qytetit dhe shërbime të tjera, ndërsa 1 për qind e saj për studime urbanistike të qytetit. Gjatë periudhës në fjalë janë dhënë nga zyra e urbanistikës Shkodër 107 leje ndërtimi, 21 prej të cilave për komplekse banimi dhe argëtimi. Në të njëjtën kohë është bashkëpunuar me 22 kompani ndërtimi, të cilat kanë shprehur interes për të bërë ndërtime bashkëkohore në qytetin e Shkodrës. Nisur nga ritmet e vitit të kaluar dhe kërkesat në vazhdimësi për të ndërtuar në Shkodër, bashkia duket tepër optimiste, pasi vetëm me vjeljen e taksave në këtë fushë ajo arrin të sigurojë shërbimin ndaj qytetarëve në mirëmbajtje rrugësh, lyerje fasadash dhe krijimin e hapësirave të gjelbra. Nga ana tjetër, në një studim të bërë nga Banka Botërore për vendet e Evropës Juglindore, për sa u përket lehtësirave dhe transparencës që u ofrohet investitorëve, Bashkia e Shkodrës ka rezultuar ndër të parat në rajon për heqjen e barrierave dhe burokracive për investitorët. Por pavarësisht këtij rezultati pozitiv, siç e quan Bashkia Shkodër, një problem shqetësues më vete që ka ekzistuar në vite të tëra është dhënia e lejeve të ndërtimit për pallate shumëkatëshe fare pranë zonave të vjetra muzeale të qytetit. Këto lloj ndërtimesh janë prezente pothuajse në të gjitha pjesët e vjetra të qytetit.