E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH, Ruli: Negociatat me CEZ, të suksesshme

Negociatat me kompaninë çeke CEZ për privatizimin e OSSH-së ndodhen drejt fundit. I pranishëm dje në seancën e radhës të Kuvendit të Shqipërisë, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i ka cilësuar përfundimet e negociatave si tepër të suksesshme. Në tre vitet e fundit, si dhe në projektet e ardhshme, kapaciteti prodhues i energjisë elektrike arrin në 2 mijë megavat me një vlerë investimi rreth 5 miliardë dollarë. Duke folur për situatën energjetike në vend, ministri garantoi furnizim të rregullt me drita dhe se investitori i ri i OSSH do të garantojë shërbim cilësor ndaj konsumatorit. Importi i energjisë elektrike gjatë vitit 2008 arriti në 2.3 miliardë kilovat/orë energji elektrike, ose rreth 400 milionë kilovatë më pak se 2007. Për vitin 2009 parashikohet një nivel prodhimi për rreth 4.2 miliardë kilovat energji elektrike.

Ndërkaq, po dje në Kuvend, deputetë të opozitës kërkuan nga ministri sqarime rreth mungesës me asistencë ekonomike ndaj 606 punonjësve të larguar nga ARMO. Bëhet fjalë për pagesën 1-vjeçare, si dhe pagesën apo shpërblimin për vjetërsi në punë, sikundër e ka marrë vendimin qeveria. I gjithë fondi për të trajtuar financiarisht 606 punonjësit është 3 milionë dollarë, por qeveria nuk ka bërë pagesat edhe pse e ka marrë një vendim të tillë. Sipas ministrit Ruli, kompania ARMO duhet të marrë përsipër trajtimin e punonjësve që janë prekur nga reforma. "Investitorit i është bërë e qartë që në fillim se trajtimi do të kryhet nga vetë ARMO dhe jo nga buxheti i shtetit", tha kreu i METE-s. Megjithatë, ministri tha se pagesat kanë nisur dy ditë më parë dhe që pritet zgjidhja sa më shpejt të jetë e mundur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›