E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, sekuestrohet në kufi 180 kg kafe kontrabandë

Policia kufitare e Shkodrës ka mundur të sekuestrojë 180 kilogram kafe kontrabandë, ndërsa është vënë në kërkim të poseduesve të saj. Shërbimet e Policisë Kufitare, në Pikën e Kontrollit Kufitar të Hanit të Hotit, në bazë të një informacioni të marrë në rrugë operative, kanë bërë të mundur organizimin e një shërbimi për kontrollin e kalimit të mallrave kontrabande gjatë orëve të vona të mbrëmjes së enjte. Gjatë operacionit u konstatua se 3 persona të paidentifikuar, të ngarkuar me thasë në kurriz, po vinin nga Mali i Zi, në drejtim të Pikës së Kontrollit të Hanit të Hotit. Burime nga policia e Shkodrës thanë se 3 personat sapo kanë dëgjuar thirrjet e forcave të policisë për të ndaluar, janë larguar me shpejtësi duke braktisur dhe mallin. Për shkak të errësirës e terrenit të thyer, me gjithë përpjekjet e bëra nga policia, të dyshuarit nuk u kapën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit Financiar, të cilët kanë bërë verifikimin e mallit, që po transportohej dhe janë konstatuar 6 thasë kafe me peshë prej 30 kilogram secili, të cilët në total ishin 180 kilogram.
Policia ushtroi kontrolle në të gjithë zonën deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa po punon për identifikimin dhe kapjen e tre personave të cilët akuzohet për veprën penale të Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›