Shkodër, sportistët, kundër protestave të PS-së
Ekipi Kombëtar i Boksit dhe disa shoqata të ish-të përndjekurve politikë në Shkodër u pozicionuan dje kundër grevës së organizuar nga Partia Socialiste në kryeqytet. Sipas trajnerit të ekipit kombëtar të boksit, në rast se kryesocialisti Edi Rama nuk tërhiqet nga protestat, ata do të nisin në bulevardin qendror në Tiranë një tjetër grevë.
Për kapitenin e ekipit kombëtar të boksit, Nelson Hysa, veprimet e Ramës janë duke dëmtuar procesin e liberalizimit të vizave, çështje kjo që i ka penalizuar disa herë këta sportistë për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme jashtë vendit. Ndërkohë, edhe për përfaqësues të shoqatave të ish-të përndjekurve në Shkodër, integrimi i vendit nuk mund të ndalohet. Reagime kundërshtuese ndaj grevës së urisë në kryeqytet kanë ardhur këto ditë nga shumë rrethe të vendit.