E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë, kundër Ramës: Po pengon heqjen e vizave

Mijëra studentë nga të gjitha rrethet e vendit u mblodhën dje në një protestë paqësore përpara Bashkisë së Tiranës kundër grevës që po zhvillohet prej disa ditësh në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", nga deputetët e opozitës së bashku me mbështetësit socialistë. Me pankarta në duar, ata i bënë thirrje Edi Ramës, që të mos pengojë procesin e liberalizmit të vizave. "Ne sot jemi më pranë se kurrë ëndrrës sonë, që të jemi së bashku me bashkëmoshatarët tanë në Evropën që na bashkon, por z. Rama, duke shfrytëzuar në mënyrë çnjerëzore militantët e tij, që prej tetë muajsh po bën çdo përpjekje që kjo ëndërr mos të realizohet", - tha Qamil Dika, kryetar i Këshillit Studentor. Në një simbolikë tallëse ndaj Edi Ramës ata ngritën një çadër dhe vendosën një lepurush pranë mjeteve të nevojave personale që mund ti duhet Edi Ramës, i cili sipas të rinjve, mund të hyjë në grevën e urisë. Duke ironizuar Ramën, të rinjtë i kërkuan Edi Ramës të mos bllokojë heqjen e vizave, që të rinjtë më shumë se kushto po e presin. Protesta e madhe e të rinjve detyroi Edi Ramën të fshihej e të strukej brenda një zyre të bashkisë. Protesta e të rinjve përpara Bashkisë së Tiranës vazhdoi për rreth 60 minuta, ndërkohë që forca të shumta të policisë së Tiranës, të drejtuar nga vetë kreu i saj Tonin Vocaj, siguruan mbarëvajtjen e protestës. Kjo është protesta e dytë para Bashkisë së Tiranës, brenda kësaj jave, kundër grevës së urisë së deputetëve socialistë dhe 180 mbështetësve të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›