E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët në prag të rinisjes së protestave, paditet Avokati i Shtetit

BULQIZË Minatorët e Bulqizës mund të rinisin protestat, pasi ende nuk kanë marrë pagat e premtuara nga ACR-ja dhe se në zonën D kanë mbetur pa punë 85 minatorë, sepse METE ka urdhëruar heqjen e lejes minerare për firmën nënkoncesionare dhe RISHM-i ka deklaruar se ka probleme me sigurimin teknik në punë. Dje anëtarë të këshillit sindikal kanë diskutuar se mund të rifillojnë protestat javën e ardhshme, pasi shumë nga kërkesat e tyre nuk janë plotësuar. Po ashtu mes minatorëve dhe ACR ka nisur një kalvar gjyqësor. Nuk i ndalin ankesat e tyre minatorët e Bulqizës në organet e drejtësisë. Padia e Avokaturës së Shtetit dhe marrja të pandehur të drejtuesve sindikalistë ka detyruar dje Federatën e Sindikatës të Punonjësve të Industrisë, përfaqësuar nga Taf Koleci të kundrapadisë Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit, përfaqësuar nga Avokatja e Përgjithshme e Shtetit Ledina Mandia dhe palë e tretë në këtë proces përmendet Shoqëria Koncesionare ACR si dhe RISHM-i i përfaqësuar nga Sajmir Zeka. Objekt i kësaj kundrapadie është shpërblimi i dëmit të pësuar nga veprimet dhe mosveprimet e administratës publike. Në kundrapadinë prej gjashtë faqesh ndër të tjera thuhet:” Qëllimi i ndërhyrjes së shtetit për të penguar grevën del edhe nga vetë përmbajtja e raportit të inspektorëve të METE-s, të gushtit 2011, ku theksohet se ata nuk shkonin të kontrollonin masat e marra nga ACR, por shkonin për të parë dëmin e shkaktuar nga ACR, nga ushtrimi i të drejtave kushtetuese e minatorëve për të bërë grevë. Po kështu në ndërhyrjet arbitrare të autoriteteve shtetërore, shënohet ajo e Avokaturës së Shtetit, institucion i cili u vu në lëvizje vetëm kur minatorët “cenuan pajisjet e ACR-së” dhe jo kur subjekti, i cili shfrytëzon pronën publike, nuk zbatoi detyrimet ligjore për të kryer investime, me qëllim ruajtjen e pronës publike”. Minatorët deklarojnë se autoritetet publike, sidomos Avokatura e Shtetit ka shkelur ligjin. P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›