E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulm me armë familjes kosovare

 

Sulmohet me armë familja kosovare, ndërsa udhëtonte drejt plazhit të Durrësit. Një 28-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, u plagos gjatë tentativës së dy adoleshentëve të armatosur për të rrëmbyer makinën. Ngjarja e rëndë u shënua në orët e para të mëngjesit, në pjesën nacionale Morin-Kukës, pak kilometra pasi familja prishtinase kishte kapërcyer kufirin. Policia e Kukësit tentoi ta mbante të fshehur këtë ngjarje, për të mos përhapur panik tek udhëtarët e shumtë. Megjithatë, forcat e saj u angazhuan maksimalisht, duke mundur të arrestojnë brenda pak orësh dy autorët, të dy 15-vjeçarë.
Makfine Berisha është emri i nënës së re, e cila mbeti e plagosur nga një plumb kallashnikovi rreth orës 03:15 të mëngjesit, në afërsi të urës së Uzinës, 5 km pa hyrë në qytetin e Kukësit. Ajo udhëtonte bashkë me të vëllanë dhe dy fëmijët e vegjël drejt Durrësit, në një makinë tip “Volksvagen”, me targë 888KS320. Në rrugën e vjetër, e cila do të shmanget nga udhëtarët sapo të përfundojë ura e autostradës së re, dy persona të armatosur, por pa maska, u kanë kërkuar pasagjerëve të zbrisnin dhe t’u dorëzonin autoveturën. Rezistenca e familjes nga Prishtina ka bërë që dy grabitësit të qëllojnë në drejtim të makinës dhe një plumb pasi ka shpuar llamarinat e autoveturës të kapë në këmbë Makfine Berishën. Kjo familje udhëtonte për herë të parë për në Durrës. Vendi i zgjedhur për të grabitur autoveturën është tek ura e Uzinës, në një luginë ku shihen dy anët e rrugës. Autovetura ka udhëtuar 20 km pasi ka lënë kufirin. Sipas policisë, qëllimi i dy adoleshentëve ka qenë për të grabitur autoveturën. Për të arritur këtë, ata kanë tentuar të kapin një nga fëmijët, në formë presioni, por nuk mundën. Dy autorët nuk kanë kërkuar para, por zbritjen nga makina dhe dorëzimin e saj. Më pas udhëtimi është bërë për në spital, mes tmerrit dhe pasigurisë familja e sulmuar mezi ka gjetur spitalin. Mjekët e spitalit të Kukësit i kanë dhënë menjëherë ndihmën e parë të plagosurës, e cila i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Nga mesdita ajo ka nisur të marrë veten, duke dhënë dhe pohimet e para për ngjarjen që kishte ndodhur. Sipas dëshmisë së 28-vjeçares, gjithçka kishte shkuar normalisht, deri në momentin kur u sulmuan. “Pamë disa gurë në mes të rrugës që pengonin udhëtimin. Vëllai, Safeti, zbriti për të hapur rrugën, kur pamë dy personat që na dolën para me armë. Ata kërkonin që të dilnim nga makina dhe t’ua dorëzonim atyre. Kemi rezistuar dhe tentuan të na zbresin me forcë nga makina, madje duke më kapur fillimisht djalin 8-vjeçar për ta zbritur. Kemi bërtitur të lemerisur dhe personat kanë qëlluar në drejtim të veturës, ku një plumb pasi ka shpallur veturën më ka kapur edhe mua”. E plagosura pohon se autorët janë larguar në momentin kur po afroheshin makina të tjera. Nga ana e saj, policia thotë se dy personat e ndaluar e kanë pranuar ngjarjen, duke pohuar se qëllimi ishte rrëmbimi i autoveturës.                              j.h

Policia, masa shtesë në rrugë

E plagosura në rrugën nacionale Morin-Kukës është mbajtur nën ruajtjen e forcave të policisë së qarkut, duke mos lënë as mediat t’i afroheshin. Gjatë orëve të ditës ajo i është nënshtruar një terapie intensive në sallën e reanimacionit, derisa gjendja është përmirësuar. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, policia e Kukësit pohoi dje se janë marrë masa shtesë përgjatë segmentit. Sipas saj, efektiva blu janë vendosur jo vetëm në doganën e Morinit, por dhe përgjatë gjithë aksit rrugor Morin-Kukës-Tiranë, në mënyrë që karvanët të ecin ditën dhe natën pa probleme. Si çdo vit, vera shënon fluksin e udhëtarëve kosovarë drejt plazheve të Shqipërisë dhe anasjellas. Hapja e galerisë së tunelit të Kalimashit ka shtuar qarkullimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›