Prifti: “PS-ja harxhoi 5 milionë euro për shkatërrimin e LSI-së në qarkun e Fierit”
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim i zgjedhur në qarkun e Fierit, Dritan Prifti, ka bërë sërish akuza të ashpra në drejtim të Partisë Socialiste dhe veçanërisht ndaj kryetarit të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, Gramoz Ruçi. Sipas Priftit, Ruçi ka udhëhequr një operacion korruptiv dhe policesko-kriminal që synonte të blinte njerëzit e strukturave të LSI-së dhe votat e dhëna për këtë forcë politike. Prifti shtoi tonet e akuzave kur deklaroi se Partia Socialiste ka shpenzuar më shumë se 5 milionë euro gjatë fushatës elektorale dhe gjatë procesit të numërimit për të shkatërruar elektoratin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Partia Socialiste, nëpërmjet Gramoz Ruçit, ka hedhur në qarkun e Fierit mbi 5 milionë euro vetëm e vetëm për të blerë strukturat e LSI-së, për të korruptuar komisionerët dhe për të manipuluar votat tona. Gramoz Ruçi mobilizoi lloj-lloj njerëzish, njerëz me precedentë penalë, burgaxhinj dhe kriminelë, të cilët i përdori për të kërcënuar njerëzit e LSI-së dhe kandidatët e saj për deputetë në qarkun e Fierit. Për 1 milion euro ata blenë kryetarin tonë të Bashkisë në qytetin e Lushnjës, Albert Sanxhakun, duke e kërcënuar edhe me një video. Ndërkohë që dy ditë pasi regjistruam kandidatët tanë për deputetë në KQZ, na blenë edhe dy kandidatë për deputetë të rrethit të Lushnjës. Ruçi, së bashku me bandën e policëve të kriminalizuar, takoi të gjithë kryetarët e LSI-së në komunat e Fierit, duke u ofruar deri në 100 mijë euro nëse shkëputeshin nga LSI-ja dhe nëse bënin deklarata publike për largimin nga kjo parti. Pesë mijë euro ka hedhur Gramoz Ruçi për blerjen e çdo kryetari organizate. Miliona janë hedhur ditën e votimit. Një votë me 100 euro e ka blerë Partia Socialiste”, - akuzoi Prifti. Sipas tij, në këto kushte, kur Partia Socialiste ka qenë armikja e vetme dhe kryesore e votave të LSI-së, është i pamundur koalicioni me këtë parti.
8 Korrik 2009