Meta mandatohet për të negociuar me Berishën për krijimin e qeverisë së re
Meta: “Bashkëpunimi me Edi Ramën e çon vendin në krizë, kemi përgjegjësinë historike për fatet e vendit”
Shaban Sulçe
Konventa e Jashtëzakonshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjatë mbledhjes së saj të djeshme, ka miratuar vendimin politik të Kryesisë së LSI-së për formimin e aleancës paszgjedhore me Partinë Demokratike për krijimin e qeverisë së re. Konventa e LSI-së ka mandatuar kryetarin e kësaj partie, Ilir Meta, që të negociojë me kryetarin e Partisë Demokratike dhe kryeministrin Sali Berisha për qeverinë e re. Pjesa më e madhe e funksionarëve të lartë të kësaj partie kanë miratuar vendimin politik të LSI-së. Gjithsesi, në takimin e djeshëm ka pasur edhe zëra kundër. Anëtari i Kryesisë së LSI-së, Fatos Klosi, e ka kundërshtuar këtë marrëveshje, ndërkohë që zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, ka shprehur rezerva vetëm përsa i përket nxitimit të LSI-së për të bashkëpunuar në qeverisje me PD-në, duke qenë se ende nuk është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.
Meta
Gjatë fjalës së tij në Konventën e Jashtëzakonshme, Meta theksoi se LSI-ja duhet të zgjedhë midis dy rrugëve: rrugën e krizës duke bërë marrëveshje me Partinë Socialiste, apo rrugën e integrimit të Shqipërisë, duke kontribuar në garantimin e stabilitetit qeverisës dhe përshpejtimit të reformave integruese. Meta lëshoi akuza të forta në drejtim të lidershipit të Partisë Socialiste. Sipas kreut të LSI-së, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka bërë çmos që të eliminojë politikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në këtë drejtim, Meta renditi Kodin Zgjedhor, që i mohoi LSI-së të drejtën për të pasur komisionerët e saj për ruajtjen e votave, diversionet mediatike të bëra nga Partia Socialiste, si dhe ngritjen e një bande ish-policësh, të cilët terrorizonin dhe korruptonin komisionerët me qëllim që ata të manipulonin votat e LSI-së. Meta tha se nuk e lidhte asgjë me Edi Ramën dhe vetëm pasi ky i fundit të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Socialiste do t’i jepte mundësinë që të rishikonin marrëdhëniet e tyre politike dhe shoqërore. Meta theksoi se marrëveshja me PS-në prodhonte vetëm krizë politike dhe ekonomike.
Bashkëqeverisja
Duke vijuar më tej në fjalën e tij, kreu i LSI-së tha se LSI-ja tashmë gjendet përballë një momenti historik. Ajo ka përgjegjësinë që të kontribuojë për integrimin e Shqipërisë dhe do ta bëjë pikërisht duke kontribuuar në qeverisje. “Ne do të ecim përpara. Nuk jemi krijuar për të qenë bishti i Partisë Socialiste, e aq me tepër i lidershipit aktual të saj. Ne duam një Shqipëri me demokraci, duam një Shqipëri në Europë. Ne duam të futemi në Bashkimin Europian dhe në radhë të parë jemi LSI, për integrim, dhe jo për izolim. Vendimi është shumë i vështirë për të gjithë, sidomos për mua, pasi ta artikuloja, por nuk shikoj zgjidhje tjetër. Ne duhet të jemi një faktor qeverisës për të realizuar elementet e planit tonë për veprim, sepse Shqipëria është në krizë ekonomike, sociale dhe besimi. Prandaj të gjithë atyre që duan një vend normal, pavarësisht dëshirave që kanë pasur para 28 qershorit, ne duhet t’u japim një mesazh pjekurie dhe moderimi të politikës shqiptare, mesazh të kapërcimit dhe ndarjes së debateve të forta të së shkuarës. Kjo forcë politike është në funksion të integrimit të Shqipërisë. Unë besoj se rruga ku duhet të ecim është rruga e zgjidhjes dhe jo rruga e krizës, është rruga e stabilitetit, rruga e integrimit europian, liberalizimit, dhe jo izolimit”, - tha Meta.
Xhufi
Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, është shprehur i rezervuar në fjalën e tij përsa i përket marrëveshjes së mundshme PD-LSI për krijimin e qeverisë së re. Sipas Xhufit, kjo marrëveshje është e përshpejtuar dhe duhet të bëhej vetëm pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjithsesi, vendimi politik i LSI-së u përshëndet nga shumica e drejtuesve të lartë të LSI-së.
Nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, tha se Partia Socialiste i kishte grabitur një mandat LSI-së në qarkun e Shkodrës. Axhemi tha se LSI-ja ka mandatet dhe votat e saj, nuk ia ka grabitur askujt, dhe për vendimet politike që merr i detyrohet vetëm elektoratit të saj.
Ndërkaq, kryetari i KDK së LSI-së, Edmond Haxhinasto, tha: “Kemi bërë një zgjedhje parimore, nuk mund të formonim maxhorancë me PS-në duke trafikuar deputetët. Nuk kemi tradhtuar njeri. Pakti ynë ka qenë vetëm me zgjedhësit që na kanë besuar votën e tyre, këtë vote do ta respektojmë deri në fund. Pjesëmarrja e LSI-së në qeveri është mundësia reale për të respektuar këtë votë”, - tha Haxhinasto.
Vendimi i plotë i Konventës së Jashtëzakonshme të LSI-së
Duke vlerësuar me përgjegjësi të lartë politike rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe nevojën për të krijuar një qeverisje me bazë të gjerë që t’u shërbejë gjithë shqiptarëve.
Me bindjen se situata ekonomike dhe politike në vend kërkon evitimin e krizave politike apo të zgjedhjeve të reja të parakohshme. Me mirëkuptimin e përbashkët për t’u angazhuar dhe realizuar një proces reformimi real të sistemit tonë institucional dhe zgjedhor për të konsoliduar demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Me përgjegjësinë e realizimit të detyrimeve kombëtare për të përshpejtuar procesin e integrimit europian dhe veçanërisht realizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve. Për të ndikuar pozitivisht në zbutjen e polarizimit ekstrem social si rezultat i politikës konfliktuale, Konventa Kombëtare e Jashtëzakonshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim vendosi:
- Të miratojë pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
- Të mandatojë kryetarin e LSI-së, z.Ilir Meta, të negociojë me kryetarin e Partisë Demokratike, z.Sali Berisha, për krijimin e koalicionit qeverisës.
8 Korrik 2009