Shkodra, Lezha e Shëngjini, pa ujë të pijshëm

Ujësjellës-Kanalizimet nuk kanë shlyer detyrimet e tyre ndaj OSSH dhe si rrjedhojë është prerë energjia në stacionet e pompave duke lënë tre qytete pa ujë të pijshëm
Shkodra, Lezha, Shëngjini e disa fshatra të këtij rrethi prej së mërkurës paradite nuk furnizohen me ujë. Shkak për këtë është ndërprerja e energjisë në stacionin e pompave të ujësjellësit nga OSSH-ja pas borxheve që i ka Ujësjellësi kësaj kompanie.
Ndërkohë, qytetarët i janë kthyer radhave dhe përdorimit të bidonëve për të mbushur ujë. Problemet bëhen edhe më të mëdha sidomos për faktin që ujë nuk kanë as spitalet, zjarrfikëset, shtëpitë e të sëmurëve etj.
Shkodër, ujësjellësi: S'na njoftuan për shkëputjen
Pas ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike të stacionit të pompave të ujit të pijshëm, veprim ky që shkaktoi mosfurnizimin me ujë të gjithë qytetit të Shkodrës, ka reaguar ndërmarrja e ujësjellës - kanalizimeve. Në një deklaratë për shtyp, kjo ndërmarrje ka sqaruar se stakimi i furnizimit me ujë të pijshëm gjatë ditës së mërkurë dhe paradrekes së djeshme është bërë pa njoftuar ndërmarrjen e ujësjellësit.
"Ky veprim aspak normal dhe i papërgjegjshëm i OSSH-së ka shkaktuar një situatë kaotike për të gjithë komunitetin e qytetit të Shkodrës, si dhe të institucioneve të tilla si spitalet, shtëpitë e të sëmurëve, shtëpisë së pleqve, stacionin e zjarrfikëseve etj", janë shprehur ata.
Lidhur me faktin që ky institucion është debitor ndaj OSSH-së, në deklaratë theksohet se nga stacioni i pompave të qytetit të Shkodrës furnizohen edhe disa zona të tjera të banuara që janë pjesë e njësive të ndryshme administrative dhe që konsumojnë rreth 40 % të konsumit të përgjithshëm.
Sipas drejtores së kësaj ndërmarrjeje, Sabahet Vidhaj, detyrimet që kjo ndërmarrje i ka OSSH-së dhe që kapin vlerën e 180 milionë lekëve, janë të akumuluara prej vitesh dhe nuk janë mohuar. Në këtë situatë, sipas ndërmarrjes së ujësjellësit, shuma që ato i kanë borxh OSSH-së është e pamundur që të shlyhet brenda vitit 2010.
Po sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrjeje, gjatë këtij viti janë zhvilluar disa takime me drejtuesit e OSSH-së dhe është kërkuar që të shlyhet debia me këste, por ata nuk e kanë pranuar një zgjidhje të tillë duke vënë si kusht 31 dhjetorin e këtij viti, për të likuiduar të gjithë debinë që ne i kemi.
Lezhë, radhë për të mbushur ujë
Që të mërkurën paradite është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për afro 100 mijë banorë, pushues dhe turistë në Lezhë, Shëngjin pjesërisht në fshatrat Ishull Shëngjin, Ishull Lezhë dhe Balldre, që furnizohen nga kompania Ujësjellës-Kanalizime Lezhë. Ndërprerja e energjisë elektrike në stacionin e pompave të Barbullojës është shkaku edhe i mungesës së ujit, pasi Ujësjellësi është debitor ndaj OSSH-ja.
Në një konferencë për shtyp deputeti i Qarkut të Lezhës, Gjokë Jaku, denoncoi këtë sjellje të papërgjegjshme të qeverisë që i bën rajonit të Lezhës në pikun e sezonit turistik, duke u shprehur se "kjo është një maskaradë dhe sjellje e papërgjegjshme e qeverisë ndaj qytetarëve të saj.
Kjo është përgjegjësia e drejtpërdrejtë e qeverisë, pasi ajo deklaron se furnizimi me ujë është një problem që është zgjidhur dhe në zonat turistike ka 24 orë pa ndërprerje furnizim me ujë, por realisht Lezha jo vetëm të mërkurën dhe të enjten, por edhe në ditët e tjera ka pasur kufizime, pavarësisht se ka përfituar një investim nga Banka Botërore prej 4,2 milionë eurosh".
Ndërprerjen e energjisë ndaj ujësjellësit në pikun e sezonit turistik Jaku e cilësoi si një qëllim "dashakeqës" të qeverisë ndaj Lezhës, pasi nuk mund të ketë një penalizim kolektiv, kur si familjarët ashtu edhe biznesi i kanë likuiduar të gjitha faturat e ujit. Për këtë do të ishte mirë që edhe Prokuroria të niste hetimet", -theksoi Jaku.
Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm ka krijuar një kaos në qytetin e Lezhës dhe Shëngjinit, dhe për më tepër nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë në këtë kohë të sezonit turistik, por edhe të kthimit të emigrantëve në vendlindje.
Probleme me ujin e pijshëm kanë pasur edhe qytete të tjera. Kështu pushues në qytetin e Sarandës përgjatë të enjtes kanë shprehur shqetësimin e tyre.
Edhe banorë në kryeqytet janë ankuar për mungesën e ujit të pijshëm prej tri ditësh në banesat e tyre. Nga ana e kreut të Ujësjellësit të Tiranës u deklarua se mes institucionit që ai drejton dhe OSSH-së është ngritur një grup pune për shkak të disa mosmarrëveshjeve lidhur me pagesën.
Për ujësjellësin u investua vetëm një vit më parë. Banorët: Punimet janë bërë keq. Drejtoria: Banorët ndërhynë në tubacione
Ujë me fekale, ankohen banorët e Rrapëzës në Lushnjë
LUSHNJË - Banorët e fshatit Rrapëz të rrethit Lushnjë, edhe pse ka vetëm një vit investimi në rrjetin e ujësjellësit, nuk e konsumojnë ujin e pijshëm për shkak të ndotjes. Në këto kushte banorët vazhdojnë blerjet e ujit të pijshëm edhe pse me investimin e fundit një vit më parë u ishte premtuar se uji do të ishte i garantuar për t'u konsumuar. Kjo për vetë faktin se tubacionet janë shtruar shumë afër tubacioneve të ujërave të zeza dhe në shumë raste së bashku me tubacionet e ujit të pijshëm, duke e bërë këtë rrezik edhe më të dukshëm.
"Janë vendosur 20 sahate në një grope ku qëndrojnë dhe tubacionet e ujërave të zeza. Nuk është bërë një ndarje e tubacioneve apo të kishte një ngritje mbi nivelin e tokës të sahateve që edhe në rast dëmtimi të mos ndikohej tubacioni i ujit në këto vendbashkime", thotë një nga banorët.
Ata shprehen se uji mban erë të keqe dhe në kushtet e krijuara për të mos marrë ndonjë sëmundje, nuk e pinë. Sipas tyre, janë të detyruar ta përdorin atë vetëm për nevojat personale, ndërsa për gatim uji zihet shumë. Ndërkohë, ujin e pijshëm e blejnë nga autobotet. "Vjen boti nga Lushnja dhe aty furnizohemi me ujë.
Blejmë për gjithë javën pasi boti nuk vjen çdo ditë por një herë në 4 -5 ditë ose një herë në javë", thonë ata. Kostoja e një bidoni uji 30 litra shkon në 100 lekë të reja, ndërkohë që askush nuk e kontrollon ujin që shpërndahet si i përdorshëm dhe jo i dëmshëm nga këto autobote private.
Pavarësisht se banorët nuk janë të sigurt për cilësinë e ujit që blejnë, janë të detyruar ta përdorin atë si të konsumueshëm pasi uji i çezmave të tyre që në pamje të parë apo në aromën e tij është i papërdorshëm.
Ky fenomen njihet edhe nga përfaqësuesit e komunës Kolonjë të cilët janë shprehur se janë duke gjetur mundësinë së bashku me ndërmarrjen e ujësjellësit për të larguar rrezikun e ndotjes së ujit për këtë fshat.
Burime nga ujësjellësi janë shprehur se janë banorët ata që e dëmtojnë rrjetin duke ndërhyrë përpara matësve duke përdorur ujin për vaditje, duke bërë dhe përzierjen e ujërave dhe dëmtuar cilësinë e tij. Megjithatë zyrtarisht nga të dy këto institucione mësohet se ndërhyrja do të vijë menjëherë pas pushimeve me anë të një plani veprimi.
Helmimi nga ushqimet, dhjetëra pacientë në urgjencë
GJIROKASTËR- Ushqimet e prishura çojnë në urgjencë dhjetëra persona. Mesatarisht çdo ditë pranë këtij reparti në spitalin rajonal "Omer Nishani" paraqiten rreth 40 pacientë, që kanë nevojë për ndihmë mjekësore të menjëhershme. Mjekët shprehen se rastet më të mëdha të helmimeve vijnë nga mishi dhe bostani.
Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë shtuar ndjeshëm fluksin e vizitave në repartin e urgjencave. Regjistrat e hyrjes tregojnë se çdo ditë paraqiten mbi 40 raste që marrin asistencë mjekësore të domosdoshme.
Mjekët e këtij reparti pohojnë se pjesa më e madhe e pacientëve që paraqiten janë raste që janë helmuar nga ushqimet që kanë konsumuar, ndërsa nuk mungojnë as problemet me temperaturën e lartë të trupit, dobësia fizike, luhatje tensioni etj.
"Kryesisht rastet e helmuara nga produktet ushqimore kanë paraqitur simptoma të temperaturave të larta, diare e të vjella, ndërkohë nuk mungojnë as rastet e tjera, kur pacientët kanë pasur çrregullime të aparatit tretës. Shkaku kryesor i helmimeve ka qenë përdorimi i mishit apo produkteve të gatuara me të, që kanë kaluar mbi dy orë jo në frigorifer, por në mjedisin e jashtëm si dhe përdorimi i bostanit", shprehet mjeku i repartit të urgjencës, Laver Stroka.
ë këto kushte, mjekët bëjnë apel për më shumë kujdes gjatë konsumimit të produkteve ushqimore, veçanërisht atyre me prejardhje shtazore, si dhe marrjen e sa më shumë lëngjeve gjatë gjithë kësaj periudhe, për të shmangur problemet që shkakton dehidratimi i organizmit. Ndërkaq, gjatë kësaj stine nuk kanë munguar as rastet e pickimeve nga insekte të ndryshme, fatmirësisht pa shkaktuar gjendje kritike për jetën e banorëve. E.Kaso