E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antidroga zbulon raste në Gjilan e Prizren

Prishtinë, 4 gusht - Sektori qendror për hetimin e narkotikëve në Prishtinë dhe Prizren, në vazhdën e luftës kundër trafikut të substancave narkotike ka bërë arrestimin e dy personave të dyshuar për prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikeve të rrezikshëm dhe substancave psiko-tropike. Rasti i parë ka ndodhur në rajonin e Gjilanit, ku policia ka marrë informatën se në shtëpinë e një të dyshuari ka të mbjella rreth 20 bimë të llojit marihuanë. Njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe, pas konsultimit me prokurorin publik të Qarkut, kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit, me ç' rast në oborrin e tij, në një serrë kanë gjetur të mbjella 20 bimë të llojit kanabis sativa (marihuanë). Bimët e kultivuara në këtë serrë kishin arritur lartësinë deri në dy metra. Policia ka bërë fotografimin e këtyre bimëve, më pastaj i ka konfiskuar për ekzaminim të mëtutjeshëm. Në kohën kur është bërë kontrolli i shtëpisë dhe serrës i dyshuari nuk ka qenë në shtëpi, mirëpo është bërë identifikimi i tij dhe tani po kërkohet nga policia.
Rasti i dytë është raportuar në rajonin e Prizrenit, ku hetuesit e sektorit antidrogë në një lagje të Prizrenit kanë vërejtur një substancë të dyshuar tek i dyshuari A. D. (1968), dhe H. D (1988). Substanca ishte më ngjyrë të bardhë në formë pluhuri dhe dyshohet të jetë narkotik i llojit kokainë, substancë kjo e paketuar në dy qese të plastikës dhe e vendosur në tavolinën ku qëndronin të dyshuarit. Derisa hetuesit policorë ishin duke kërkuar substancën narkotike, të dyshuarit kanë tentuar t'i hedhin dëshmitë dhe njëkohësisht kanë filluar t'i pengojnë hetuesit për të kryer punën e tyre. Gjatë kontrollimit të shtëpisë janë gjetur dy pjesë të metalta të tytës së armës luftarake dhe një shishe metadon. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarve u është kontrolluar automjeti dhe shtëpia e banimit e gjithashtu të dyshuarve iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›