E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galeria përvesh mëngët

Drejtori Rubens Shima në një intervistë për rikonstruksionin rrënjësor të sallës së ekspozitave thotë se është abuzuar në ndërhyrjet e mëparshme: është cenuar rëndë hapësira ku po punohet.


Nga rastet e rralla që ministria e Kulturës investon një vlerë 15 milionë lekë për infrastrukturën e një institucioni


Këto kohë salla e ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Arteve po i nënshtrohet një rikonstruksioni rrënjësor që ndryshon krejt imazhin e saj. Kërkohet që salla e re t'i përngjajë asaj që arkitekti Enver Faja ka dizenjuar në vitin 1978 dhe të këtë një sistem të mirë ndriçimi dhe kondicionimi.


Tek e fundit të ketë standardet që kërkojnë veprat e artit dhe që mungesa e të cilave ka rënë në sy sidomos me bashkëpunimet e kohëve të fundit që GKA ka pasur me koleksionistë të huaj dhe një repertor botëror veprash arti.


Shoqëria "PIENVIS" ka marrë përsipër ta kthejë sallën siç ka qenë duke shembur muret dhe suvatë që u ka hyrë lagështira.


Në fazën e parë të rikonstruksionit që mbyllet në shtator do të vihet dorë vetëm mbi binanë dhe në vitin 2011 mendohet të përfundojë instalimi i sistemeve të ndriçimit dhe klimatizimit.


Faza e parë e projektit është mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në shumën 15.000.000 lekë. Është ndër rastet e rralla që ministria jep kaq shumë para për rikonstruksionin e një godine shtetërore.


"Vitin që shkoi pjesa sipër e Galerisë kryesisht u rinovua me fonde të donatorëve dhe pak të Ministrisë së Kulturës. Këtë vit, i gjithë fondi është i ministrisë së Kulturës", shprehet drejtori i Galerisë Kombëtare, Rubens Shima, si për të shpjeguar që me këtë buxhet, ministria thjesht "shleu borxhin". Shima vijon më tej edhe me projektet artistike të Galerisë Kombëtare për gjashtë muajt e dytë të vitit.


Z. Shima përse u pa e nevojshme ndërhyrja në sallën e ekspozitave? Çfarë problemesh vuan ajo?


Salla e ekspozitave në Galerinë Kombëtare është jashtë parametrave normale që kërkon çdo galeri dhe muze në botë për të ekspozuar veprat e artit. Çka do të thotë: dysheme të pastra, tavane të rregullta, mure të drejta, sisteme ndriçimi, sistem i klimatizimit dhe i kondicionimit.


Pasi t'i realizojë këto, Galeria e Arteve mund të mirëpresë ekspozita të rëndësishme, me vlera artistike dhe historike për publikun shqiptar. Në të kundërt, asnjë partner i yni nuk do të pranonte të sillte vepra me siguracione të shtrenjta dhe t'i ekspozonte, në salla të tilla. Galeria Kombëtare duhej patjetër të hidhte hapat konkretë dhe të gjente buxhetet për rinovimin e kësaj salle.


Ku do të ndërhyhet?


Rikonstruksioni ka dy faza. Njëra është këtë vit, faza e dytë është në 2011. Rikonstruksioni konsiston në hapjen e të gjithë hapësirës së Galerisë Kombëtare të Arteve, siç është krijuar nga arkitekti i saj (Enver Faja), duke hedhur në tokë, të gjitha ndërhyrjet abuzive që janë bërë për nevoja të atypëratyshme dhe kanë cenuar rëndë të gjithë këtë hapësirë.


Kjo do të thotë që salla të shkojë në origjinën e saj, siç është projektuar që në vitet '78. Do të shemben të gjitha suvatë e mureve, që janë jashtë çdo parametri, të shtrembëta, me lagështirë, me probleme shumë serioze.


Do të ndryshohen të gjitha tavanet, i gjithë sistemi elektrik. Do të vendoset për herë të parë sistemi i klimatizimit, i mbajtjes nën kontroll të klimës, që është një detyrim për Galerinë Kombëtare.


Kush e udhëheq këtë projekt dhe sa kohë zgjat ai?


Pasi u realizua studimi elektrik, studimi i sistemeve të kondicionimit, studimi i ndërhyrjeve në hapësirë u shpall tenderi. Firma fituese u shpall shoqëria "PIENVIS".


Ajo ka filluar nga puna dhe po monitorohet nga supervizorët e projektit. I gjithë rikonstruksioni i sallës në këtë fazë të parë mbulohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në shumë 15.000.000 lekë. Është parashikuar që punimet të mbyllen në javën e parë të shtatorit, që të mos bllokohet kalendari vjetor i Galerisë Kombëtare.


Është hera e parë që Ministria jep kaq shumë buxhet për rikonstruksionin e një godine shtetërore.Gjatë një lobimi, edhe timin personal, u bë e mundur marrja e një fondi nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.


Vitin, që shkoi pjesa e sipërme e Galerisë kryesisht u rinovua me fonde të donatorëve dhe pak të Ministrisë së Kulturës. Këtë vit, i gjithë fondi është i Ministrisë së Kulturës, për këtë sallë. Pretendojmë që ta bëjmë një nga sallat më të mira dhe më kualitative që ka pasur ndonjëherë Galeria Kombëtare.


Z. Shima ju e keni marrë i vetëm vendimin për rikonstruksionin e sallës së ekspozitave apo është marrë nga Këshilli Artistik i Galerisë Kombëtare të Arteve?


Që në fillim të herës, kur një drejtor vjen, bën ekzaminime në godinë. Për të gjithë ata që kanë kujtesë të shkurtër, ose bëjnë sikur harrojnë, duhet të kuptohet që Galeria Kombëtare ka qenë në një gjendje të degraduar, për sa i përket infrastrukturës. Çdo njeri duhet të vijë të përveshë mëngët edhe t'i hyjë punës, dhe të mos merret me shakara kush i merr vendimet, kush nuk i merr vendimet.


Një këshill artistik nuk mund të merret me probleme të tilla të rëndomta, sa të ngrejë dorën në duhet riparuar sistemi elektrik, apo në duhen mbyllur vrimat e tarracave që pikojnë.


Ky lloj sfondi që gjithmonë përpiqen t'ia veshin ndryshimit që po bën galeria, me të tilla "cic-mice" mund t'i quaj fjalët "kush merr vendime, kush s'merr vendime" është provincializëm.


Jemi në dijeni që salla do të promovohet me një ekspozitë të rëndësishme.
Në muajin tetor do të jetë një ekspozitë, e cila bëhet me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Holandës. Bëhet fjalë për koleksionin Jan Dibbets, një koleksion i rëndësishëm, i dhuruar rreth një dekadë më parë nga artisti konceptualist holandez Jan Dibbets.


Koleksioni është pronë e Galerisë Kombëtare dhe është në fondin tonë. Do të ekspozohet i plotë për publikun me të gjithë materialet informative të detyrueshme për të kuptuar këtë periudhë të artit bashkëkohor.


Kaq për këtë sezon kulturor?


Pasi ky projekt të mbarojë, kemi një projekt tjetër që zhvillohet në nëntor në bashkëpunim me Ambasadën e Spanjës. Është pjesë e aktiviteteve të vjeshtës spanjolle. Bëhet fjalë për një artist me rëndësi të Spanjës së shek XX, Antonio Clave, mik i Pikasos, njeri i cili gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij e ka zhvilluar në Francë dhe famën e ka fituar jashtë Spanjës. Për herë të parë do të vijë në Shqipëri, një ekspozitë e plotë vetjake e këtij autori.


Në fundvit i lihet vendi "Onufrit". Kalendari i vitit 2011 do të fillojë menjëherë me ekspozitën e piktorëve neorealistë italianë të viteve '45-'65. Do të kemi vepra origjinale shumë të shtrenjta. I gjithë ky kalendar dinamik i Galerisë Kombëtare të Arteve realizohet me buxhete të mëdha. Është e pamundur që këto ekspozita të realizohen me burimet financiare të Galerisë Kombëtare të Arteve.


Është një punë e madhe e Galerisë e cila përpiqet t'i ofrojë publikut, ekspozita të rëndësishme, por që të mos mbulohen me shpenzimet e saj. Në rast se do të pretendonim që kjo Galeri të punonte vetëm me buxhetet që i akordon Ministria e Kulturës për vit, ajo do ishte në gjendje të bënte vetëm një gjysmë ekspozite.


Fondet e projekteve janë vetëm 3.000.000 lekë. Kalendari në vazhdim i Galerisë Kombëtare deri në ekspozitën e neorealizmit kalon 7-8 milion euro.


Çfarë kontributi dhanë të rinjtë që u afruan vitin e kaluar në Galerinë e Arteve?


Fondi i të Rinjve iniciohet nga Ministria e Turizmit dhe e Kulturës. Ka qenë projekt i tyre, nuk ka qenë projekt i Galerisë Kombëtare. Ishte një projekt që konsistonte në prezencën, në punësimin sezonal të të rinjve pranë Galerisë Kombëtare që kishin interesa në fushën e kurimit, studimit, restaurimit të veprave të artit, për të kuptuar dinamikën e punës së këtij institucioni. Njëkohësisht për t'u angazhuar në projekte, ose në programe, të ndryshme të galerisë.


Nga ky projekt, Galeria Kombëtare gjeti individë me shumë interes dhe të përkushtuar, kështu që janë punësuar tre të rinj që vinin fillimisht nga ky projekt, por kuptohet që ky nuk është një projekt që detyrimisht duhet të zgjasë, nga viti në vit.


Mendoj se ishte një eksperiencë e mirë që edhe Galeria Kombëtare të vështronte ata individë të cilët kishin interesa dhe përkushtim në këto fusha. Shumica e këtyre të rinjve ishin pjesë e programit të katalogimit të veprave të artit në Galerinë Kombëtare, i cili ishte një program që kërkonte durim dhe një lloj pune rutinë, më tepër sesa investime, ose studime kërkonte. Ata dhanë një ndihmë të rëndësishme në këtë program.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›