Shkodranët do të votojnë hyrjen në NATO dhe BE
Deputeti i PD-së në Shkodër, Astrit Bushati
TIRANE - Kryetari i PD-së në Shkodër, Astrit Bushati, njëkohësisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, tha dje se shkodranët dhe shqiptarët nuk do të votojnë ndryshimin virtual të kryesocialistit Edi Rama, por hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Një ditë pas vizitës që Rama zhvilloi në qytetin e Shkodrës, kryetari i PD-së në Shkodër tha gjatë një deklarate për shtyp se “me PD-në shqiptarët janë shumë afër lëvizjes së lirë. Shkodranët dhe shqiptarët e kanë fituar luftën me të keqen Rama. Ato çdo ditë po realizojnë ndryshimin”.
Duke iu referuar fjalës që kryetari i PS-së mbajti në një takim me të rinjtë shkodranë, ai kujtoi se “ju, zoti Rama e mbyllet fjalimin tuaj me shprehjen e Obamës ‘një popull që e do vendin e tij mund ta ndryshojë’”.
“Pikërisht, shkodranët më shumë se asnjë krahinë tjetër kërkuan ndryshimin, kontribuuan për ndryshimin dhe me gjakun e bijve të saj, por ia rrëmbyet ju për tetë vite”, tha ndër të tjera kryetari i PD-së, dega Shkodër.