E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporterët e KE-së deklaruan sot se do t'i drejtohen Komisionit të Venecias për ligjin e "Lustracionit"

Raporterët e Këshillit të Evropës deklaruan sot se "do t’i drejtohen Komisionit të Venecias për ligjin shqiptar të dosjeve". Dy të dërguarit e Këshillit të Europës (KE), David Uilshire dhe Jako Lakso, që ndodhen prej dy ditësh në Shqipëri, patën sot një  takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në Pallatin e Brigadave. Pas këtij takimi ata pohuan për median se "ligji i dosjeve është shumë i rëndësishëm dhe se autoritetet shqiptare duhej të ishin konsultuar për hartimin dhe miratimin e tij në Kuvend”. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, raporterët Uilshire dhe Lakso thanë se "janë dërguar nga KE vetëm për ligjin e 'dosjeve' dhe se për zgjedhjet do të jetë një tjetër grup raporterësh që do të vizitojë së shpejti Shqipërinë”. Gjatë qëndrimit në Tiranë, raporterët David Uilshire dhe Jako Lakso kane zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë, si Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, zv/kryeministrin Genc Pollo, si dhe me drejtues të partive opozitare. Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 22 dhjetor ligjin "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", me 74 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim , ndërkohë që opozita e majtë e braktisi seancën, duke mos marrë pjesë në votim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›