E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli Piro dhe Dhurim Alinani zgjidhen kryetarë të degëve të PD në Sarandë dhe Delvinë

Mblidhet Kuvendi i degës së PD-së në Sarandë e Delvinë

TIRANE - Kuvendi i 9-të i degës së PD në Sarandë ka bërë analizën e veprimtarisë së saj 4-vjeçare dhe ka zgjedhur dje drejtuesit e saj të rinj. Rritja e shkallës së përfaqësimit dhe rrezatimi i përkushtimit të qeverisjes vendore, janë evidentuar si cilësitë më të dallueshme të punës së saj. Në fjalën e vet kryetari aktual i degës së PD, Ylli Piro nënvizoi se PD është konfirmuar si forcë-lider në rajonin e Sarandës. Nga puna 4-vjeçare ai ka veçuar rritjen prej 7 për qind që ka arritur PD në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005.
“Nano arriti një fitore të rrezikuar seriozisht”, u shpreh Piro, ndërkohë që tha se do të mbahen mend edhe zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007.
Piro përmendi se gjatë qeverisjes së PD, u krye reforma institucionale nga nënprefektura në bashkinë e Sarandës e në komuna. Bumin e  investimeve që arrijnë në 200 milionë euro, ai e ka sjellë si argument të mbështetjes së zhvillimit të Sarandës nga qeveria.
Në fjalën e vet kryetari i grupit parlamentar në PD, Astrit Patozi theksoi se demokratët janë të ndryshëm, por nuk kanë asgjë për të ndarë me njeri-tjetrin, ndërkohë që ka veçuar si risi gjatë zgjedhjeve në PD se ka një vërshim të anëtarëve të rinj nga radhët e intelektualëve, administratorëve të zotë, biznesmenëve e të rinjve që i janë bashkuar kësaj force politike.
Patozi kërkoi që Kuvendi të zhvillohet duke vënë në sfond 28 qershorin dhe që pas daljes së drejtuesve të rinj, secili ta ndjejë veten në fushatë elektorale. Numri dy i PD-së ka shprehur bindjen se kjo do të jetë një betejë që do të përfundojë me humbjen e PS dhe aleatët e saj, pasi PD-në e ka quajtur të pakrahasueshme në të gjithë dimensionet.
Në përfundim të procesit zgjedhorë, kryetari aktual Ylli Piro fiton 210 vota nga 300 delegatë, Arben Maci fiton 32 vota dhe Arlond Kermajt 58 vota.
Ndërkaq, kryetari aktual i degës së PD në Delvinë, njëherësh edhe kryetar i bashkisë, Dhurim Alinani, ka raportuar në kuvendin e PD për Delvinën. Ai tha se votuesi ka rritur besimin tek demokratët edhe në jug të vendit dhe kjo është treguar me marrjen e bashkisë së Delvinës, të komunës së Vergoit, si dhe në aleancë me PBDNJ edhe komunën e Finiqit e Mesopotamit.
Alinani është ndalur në faktin që qeveria demokratike ka financuar 15 projekte për Delvinën, me vlerë 1.5 miliard lekë që kanë përsosur infrastrukturën rrugore dhe shërbimet ndaj komunitetit. Nga foltorja e kuvendit të 9-të është dhënë lajmi i tenderimit së afërmi të rrugës Muzinë-Delvinë.
Në fjalën e vet zoti Patozi, në vlerësim të përkushtimit të demokratëve delvinjotë, ka përshëndetur për rezultatet konkrete që kanë ndryshuar edhe Delvinën. Ai ka cilësuar procesin zgjedhor në PD në të gjithë vendim transparent, serioz e të përgjegjshëm, dhe që zhvillohet në klimën e debatit civil e konstruktiv, ndërkohë që shprehur sigurinë e marrjes së një mandati të dytë qeverisës në zgjedhjet e 28 qershorit. 100 anëtarëve të rinj që janë pranuar në këtë degë të PD kohët e fundit, u janë shtuar dje, përgjatë zhvillimit të punimeve të konferencës edhe 30 të rinj të tjerë, që kanë marrë teserat e PD.
Ata kanë qenë kryesisht nga radhët e intelektualëve, biznesmenëve dhe nxënësve e studentëve. Pas procedurave të rregullta të votimit dhe numë-rimit të votave, ka rezultuar se kuvendi ka nxjerrë fituese kandidaturën e Dhurim Alinanit, i cili është rikonfirmuar si kryetar i degës së PD Delvinë, afërsisht me 75 për qind të votave, duke sfiduar rivalin e tij, Fatos Dauti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›