Miratohet paketa e vendimeve për aderimin e Shqipërisë në NATO
Kryeministri Berisha: Procesi i ratifikimit të Protokollit do të kompletohet në afatin më optimal, që do të përcaktojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Qeveria miratoi në mbledhjen e saj sot edhe paketën e vendimeve për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Kryeministri tha se paketa e vendime përbën bazën ligjore dhe nënligjore për ta bërë Shqipërinë një vend të përshtatshëm, anëtar të NATO-s. Duke evidentuar faktin se procesi i ratifikimit nga vendet anëtare të NATO-s të Protokollit të anëtarësimit për Shqipërinë, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për këto vende dhe shprehu bindjen se procesi i ratifikimit do të përfundojë së shpejti. “Procesi i ratifikimit të Protokollit po ecën me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe dua t’i shpreh një mirënjohje të thellë ndaj të gjitha vendeve anëtare që përparësuan ratifikimin e Protokollit në një kohë rekord. Ky proces do të kompletohet në afatin më optimal që do të përcaktojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO,” u shpreh Kryeministri. Protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë në Traktatin e Aleancës së Atlantikut të Veriut është ratifikuar nga pjesa më e madhe e vendeve anëtare të NATO-s.
...