E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prisnim reflektim

Kryetarja e Grupit Socialist: Kryetarja e Kuvendit, Topalli ka shkelur Kushtetutën. Po vlerësojmë mocionin për shkarkim

Mosreflektimi nga kryetarja e Kuvendit lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, mund t’i kushtojë asaj kërkesën e tretë për mocion mosbesimi. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cilësoi dje si të papranueshëm qëndrimin e Jozefina Topallit, ndërsa vuri theksin edhe tek mundësia për të kërkuar shkarkimin e saj. “Ne prisnim nga Jozefina Topalli reflektim lidhur me këtë çështje, reflektim që do të çonte jo në brutalitetin  provincial, që u shpreh në deklaratën e bërë dje përmes zëdhënëses për shtyp, por në zgjidhje. Në fakt, kryetarja e Kuvendit nuk bëri asgjë transparente lidhur me veprimet e saj në këtë deklaratë. Kjo e bën edhe më të paqartë, e natyrisht edhe më të kompromentuar procesin. Ne presim votimin e dekreteve të presidentit dhe po vlerësojmë idenë e  mocionit për shkarkimin e Jozefina Topallit si kryetare e Kuvendit”, - u shpreh numri një i socialistëve në Kuvend. Valentina Leskaj rikërkoi në emër të PS-së, që të mos vonojë votimin e dekretit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Liderja e grupit parlamentar të PS-së sqaroi se Kushtetuta, në nenin 136 të saj, ka përcaktuar se anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit. Ajo nënvizoi se dhënia e pëlqimit nga Kuvendi nuk do të thotë se ky institucion duhet të mbledhë të dhëna për kandidatët, sikundër ka kërkuar kryeparlamentarja Topalli nga Ministria e Brendshme, ajo e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Për socialistët, ashtu sikundër u shpreh qartë Leskaj, veprimi i kryeparlamentares është në kundërshtim të hapur me ligjin. Veç qëndrimit të kryetares së Kuvendit, socialistët janë të zhgënjyer edhe nga kryeministri Sali Berisha, të cilit i kërkuan të mos bëhet palë në këtë shkelje, por të kërkojë votimin e dekreteve në Kuvend. “Ne prisnim distancim dhe jo heshtje fajësuese nga Sali Berisha gjithashtu. Grupi parlamentar i PS-së ka vlerësuar nevojën e reformave në vend, dhe për këtë është bërë iniciuese e paktit për reformat në drejtësi, por reformat humbasin vlerën kur vazhdon presioni për të kapur institucionet e pavarur, kur nuk respektohet pavarësia e tyre. Ne nuk bëjmë pakt për pakt, por një reformë serioze që garanton pavarësinë e drejtësisë, që përmirëson cilësinë e sistemit në shërbim të qytetarëve”, - deklaroi Valentina Leskaj. Sipas socialistëve, mazhoranca në pushtet po prish frymën e bashkëpunimit për realizimin e reformave, pasi po vazhdon tentativat për të kapur institucionet e pavarura. Që pas ardhjesh në pushtet të të djathtëve, socialistët kanë kundërshtuar hapur çdo përpjekje të kësaj natyre, sikurse po bëjnë edhe në rastin konkret, të mosrespektimit kushtetues, sipas tyre, me qëllimin e pasjes nën kontroll të Gjykatës së Lartë. Në emër të partisë më të madhe opozitare, Leskaj vuri theksin edhe tek shkelja e të drejtave themelore të njeriut dhe cenimi i personalitetit ndaj pesë kandidatëve. Ajo nënvizoi se kjo shkelje është një precedent i papranueshëm dhe i frikshëm, duke marrë parasysh se mund të përsëritet shumë herë më tepër për qytetarët e pambrojtur. Për të mos lënë shkas që kjo të ripërsëritet, e po ashtu për të garantuar respektimin e Kushtetutës, partia më e madhe e opozitës është duke vlerësuar seriozisht idenë e një mocioni të tretë ndaj kryeparlamentares Jozefina Topalli. Krah tyre lidhur me këtë opsion, rreshtohen edhe socialdemokratët dhe LSI-ja.

Topalli: S’është vonë për pajtim

Jozefina Topalli kërkoi dje bashkërendimin dhe koordinimin e punës mes Presidencës dhe Kuvendit. Lidhur me dekretin e emërimit të pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ajo nënvizoi madje, se konsensusi është i detyrueshëm. Kryekuvendarja i konsideroi mëse të ligjshme procedurat e ndjekura ndaj dekreteve të Presidentit të Republikës, për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. “Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, institucioni i Kuvendit dhe ai i Presidencës si institucionet kryesore të shtetit, duhet të bashkërendojnë punën, për të gjetur një konsensus për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”, - deklaroi ajo. Topalli vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon të shmangë propozimin e një institucioni pa pyetur, apo edhe miratimin ose rrëzimin pa pyetur. Sipas saj, merita e emërimit i jepet Kuvendit, por në të njëjtën kohë përcakton se institucioni i Presidentit dhe i Kuvendit duhet të bashkërendojnë punën për të gjetur konsensusin. “Asnjëherë nuk është vonë për të bashkërenduar dhe koordinuar punën dhe për të gjetur konsensus, aq më tepër kur ky është një detyrim i imponuar, i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë institucionet, ndaj unë, natyrisht, nuk kam ndërmend të mos e zbatoj këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese”, - u shpreh Topalli. Mandej, referuar edhe deklaratës së kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ajo tha se Kuvendi funksionon në bazë të Kushtetutës, Rregullores dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe në rastin e emërimit të gjyqtarëve. 

Patozi: “Mirë e ka Topalli”

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ka reaguar dje ndaj vendimit të kryeparlamentares Jozefina Topalli, për shqyrtimin e dekreteve të presidentit Bamir Topi. Duke dalë në mbrojtje të vendimit të kryeparlamentares Topalli, kreu i grupit demokrat tha se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtë Parlamentit për shqyrtimin në themel e substancë të kandidatëve për Gjykatën e Lartë”. Duke kundërshtuar pretendimet e socialistëve për shkeljet të kompetencave të presidentit dhe për shkelje të rregullores, Patozi deklaroi se ato janë të pabazuara dhe “janë të frymëzuara për qëllime politike”. “Deri tani në këtë proces nuk është shkelur dhe dhunuar asnjë afat ligjor dhe asnjë detyrim kushtetues, e aq më pak të jenë cenuar të drejtat e njeriut të ndonjë personi”, deklaroi Patozi. Kreu i grupit parlamentar i cilësoi deklaratat e socialistëve si presion politik, ndërsa shprehu vendosmërinë e mazhorancës për të mos ndryshuar qëndrim për këtë çështje. Duke përsëritur të njëjta argumente që edhe vetë kryeparlamentarja Topalli përdori për të shpjeguar vendimin e saj për shqyrtimin e dekreteve të presidentit, deputeti Patozi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i njeh Parlamentit të drejtën për shqyrtimin e kandidaturave, ndaj duhet të pranohet detyrimisht nga të gjitha forcat politike në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›