Dinamo "shfryn" Flamurtarin dhe konfirmohet favorite për titull
Java e dytë e Kategorisë Superiore ka konfirmuar dy skuadra, Dinamo dhe Besa, që tashmë tregojnë se janë në gjendje të fitojnë edhe në transfertë, madje në fusha të vështira. Dinamo ka shpartalluar Flamurtarin në Vlorë, 3-0, ndërsa Besa ka mundur Shkumbinin në Peqin 2-1. Në këtë mënyrë, të dyja skuadrat, jo vetëm janë në krye të renditjes me pikë të plota, me nga dy fitore secila, por kanë zhvilluar lojërat më bindëse dhe kanë arritur rezultatet më pretenduese të mundshme. Ndeshja e zhvilluar dje në stadiumin "Flamurtari" të Vlorës ka parë të përballen dy skuadrat më të mira të javës së parë të sezonit. Vlonjatët që kishin mundur 1-3 Tiranën në kryeqytet vinin në këtë takim me synimin për të ruajtur atë vazhdimësi të mirë edhe ndaj bluve. Ndërsa Dinamo, pas një fitoreje kundër të krutanëve të sapopromovuar në elitën e futbollit shqiptar, kërkonte rikonfirmim si një pretendente e denjë për titull pikërisht ndaj Flamurtarit. Fati i ka buzëqeshur skuadrës së Muçës, e cila ka rezultuar më efikase. Pas vetëm 37 minutash lojë, Bakaj ka bërë të heshtë stadiumi "Flamurtari" me golin e avantazhit. Me rifillimin e pjesës së dytë, kur pritej reagimi i vendasve, Sefa çon në dy numrin e golave për Dinamon. Goli i "KO"-së ka ardhur në minutën e 64, ku Plaku shënon edhe golin e fitores 3-0. Një humbje zhgënjyese për Flamurtarin, i cili merr një grusht të fortë, ndoshta në një moment euforik. Besa ia del të fitojë në Peqin një ndeshje të paralajmëruar si shumë të tensionuar. Në minutën e tretë shënon Cikalleshi për Kavajasit dhe dyfishon Mihani në të 63-ën. Në të 81-ën ngushton Mustafaraj, por kaq nuk mjafton për Shkumbinin. Rigjen fitoren Teuta e Durrësit, në shtëpi, duke mundur 2-1 Kastriotin e Krujës, që nuk e njeh ende pikën në këtë kampionat, ndërkohë që Gramozi befason Laçin, në fushë, teksa barazon 1-1.