Shkojnë në dasmë, helmohen dasmorët
Kthehen nga dasma, përfundojnë në spital. Ky ka qenë fati i një grupi dasmorësh, që dje kanë qenë pacientë të repartit të infektivit në spitalin e Vlorës. Burime spitalore bëjnë të ditur se dje në mëngjes, një numër i pazakontë pacientësh janë paraqitur brenda një intervali të shkurtër kohe me ankesat e të vjellave dhe diarresë. Më pas mjekët kanë mësuar se ata ishin të gjithë të afërm dhe miq me njëri-tjetrin dhe kishin qenë të ftuar në një dasmë. Shefi i infektivit të spitalit të Vlorës, Islam Islami shprehet për "Shqip" se dasmorët janë shtuar në ambientet e repartit dhe se ata shfaqin simptoma të intoksikimit: diarre, temperaturë të lartë dhe ethe. Me të parë situatën, mjekët kanë vlerësuar rastin dhe kanë marrë masat e nevojshme që pas dhënies së ndihmës së parë, trajtimi të vijonte në kushte spitalore. Në kushtet kur kapacitetet e infektivit janë tejmbushur, shtrimi për fëmijët ka vijuar në repartin e pediatrisë dhe po kështu mësohet të ketë dasmorë edhe në repartin e patologjisë.