Zhduket prej katër ditësh, të afërmit apel për ndihmë
Një 37-vjeçar nga një fshat i rrethit të Beratit është larguar nga banesa që prej katër ditësh, ndërkohë që familjarët kanë kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e tij. Burime të Komisariatit të Policisë së Beratit bëjnë të ditur se Kujtim Bejda, banor i fshatit Luzaj Komuna Lumas që prej 4 ditësh është larguar nga banesa pa lënë gjurmë. Familjarët e 37-vjeçarit e kanë kërkuar gjithandej dhe në pamundësi për ta gjetur kanë kërkuar ndihmën e organit blu beratas. Dyshohet se Kujtimi, baba i dy fëmijëve, t‘i ketë dhënë fund jetës për shkak të një gjendjeje depresioni. Në denoncimin e tyre familjarët Bejda kanë deklaruar se tri ditë më parë ai ishte larguar nga banesa ashtu si çdo ditë tjetër për të kryer punët e përditshme, ndërkohë që nuk është parë më nga askush. Sipas denoncimit të bërë për herë të fundit, kryefamiljari është parë në banesë mëngjesin e së martës dhe që nga ai moment askush nuk ka informacion për fatin e tij. Fillimisht familjarët kanë menduar se ai mund të kishte shkuar te të afërmit në fshatrat e kësaj zone, por pa sukses. Familjarët Bejda, por edhe banorë të fshatit Luzaj në Komunën Lumas, kanë nisur të kërkojnë Kujtimin në të gjithë fshatin, ndërsa janë alarmuar kur kanë gjetur këpucët e tij në breg të një burimi. Kjo i ka çuar ata të mendojnë se 37-vjeçari mund t‘i ketë dhënë fund jetës duke u vetëmbytur në burim. Sipas tyre, kohët e fundit ai po kalonte një moment të vështirë, për shkak të problemeve ekonomike, por askush nuk ka menduar se mund t‘i jepte fund jetës. Kujtimi mësohet se ishte personi i vetëm në familje që merrej me punët e bujqësisë, gjë që kishte ndikuar në gjendjen jo të mirë ekonomike të familjes. Mëngjesin e djeshëm, në vendin ku dyshohet se mund të jetë mbytur 37-vjeçari kanë mbërritur edhe palombarët që kanë bërë kërkime në të gjithë sipërfaqen e burimit, por nuk kanë arritur të gjejnë asnjë shenjë të Kujtimit, çka ka hedhur poshtë çdo dyshim se 37-vjeçari mund të jetë vetëmbytur. Policia e Beratit menjëherë pas marrjes së informacionit ka shpërndarë të gjitha të dhënat e të humburit, ndërkohë që po punohet për gjetjen e tij.