E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkojnë Jashari e Vula

Dy zyrtarë të lartë në institucionin e Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari e Veton Vula kanë dhënë dorëheqje. Ata thonë se kanë hasur në telashe për realizmin e punës së tyre nga Avokati i Popullit, Sami Kurteshi. Kërkojnë largimin e tij nga ky institucion. Nga Nebih Maxhuni më 22 dhjetor 2010 në ora 12:03

Hilmi Jashari, dikur Avokat i Popullit, e së fundi zëvendës në këtë institucion, ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësit të Avokatit të Popullit.

Bashkë me Jasharin dorëheqje ka dhënë edhe Veton Vula, drejtor i Departamentit të hetimeve në këtë institucion.

Jashari e Vula dorëheqjen e kanë bërë publike përmes një komunikate për media, duke mos dhënë ndonjë arsye pse kanë marrë një vendim të tillë.

“Ju njoftojmë se nga Institucioni i Avokatit të Popullit (Ombudspersoni) kemi dhënë dorëheqje nga funksionet e deritashme Hilmi Jashari nga pozita e zëvendësit të Avokatit të Popullit dhe Dr. sc. Veton Vula, drejtor i Departamentit të Hetimeve në Institucionin e Avokatit të Popullit”, kanë thënë ata.

Dy tashmë të dorëhequrit kanë thënë se që nga dita e parë e themelimit të këtij institucioni kanë udhëhequr pozitat e tyre me sukses deri në emërimin e Kurteshit në pozitën e Avokatit të Popullit.

Përderisa Jashari dhe Vula kanë thënë se sot në një konferencë për media do të bëjnë publike arsye te dorëheqjes, Hilmi Jashari ka rrëfyer për Express disa nga shkaqet që e kanë shtyrë atë të largohet pas pesë vjetësh nga Avokati i Popullit.

Ai ka thënë se ka hasur në kundërshtime me vizionin e tij nga Sami Kurteshi se di të kryhen punët sa më mirë në këtë institucion.

“Problemi më i madh ka qenë se Avokati i Popullit dhe ne kemi pasur vizione të ndryshme për zbatimin e ligjit dhe mandatit të Avokatit të Popullit”, ka thënë Jashari për Express.

Sipas tij, me problemet e njëjta është ballafaquar edhe Veton Vula.

“Me të njëjtat telashe që kam pasur unë, është ballafaquar edhe Vetoni”, ka thënë Hilmi Jashari.

Ai me këtë rast ka thënë se është dashur të japë dorëheqje vetë Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

“Më mirë ka qenë që ai të shkojë, sepse ka një vizion krejt ndryshe për realizmin e mandatit të tij”, ka thënë ai.

Dy këta zyrtarë të lartë të këtij institucioni i kanë dorëzuar me shkrim Sami Kurteshit dorëheqjet e tyre.

Zyrtarë për media në Avokatin e Popullit nuk e kanë komentuar shumë këtë.

“Nuk i di arsyet, ata kanë paralajmëruar se do t’i bëjnë publike të mërkurën”, ka thënë Ibrahim Arslan, zyrtar për media.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›