Akuzë për arrogancë
Xheladin Ujkani, dikur student i doktorit të QKU-së, Masar Gashi, ka vendosur që me anë të një komunikate për media, ta akuzojë ish-profesorin e tij për arrogancë dhe papapërgjegjësi etike e profesionale ndaj pacientëve.
E gjithë ngjarja kishte filluar të hënën, kur babai i Xheladinit, Shefki Ujkani, ishte transferuar nga spitali i Vushtrrisë, aty ku jeton, për në QKU në Prishtinë, më saktësisht në Repartin e Kardiologjisë, aty ku punon Masar Gashi.
Sipas tij, mjeku në fjalë nuk e ka lejuar familjen e tij të ketë asnjë kontakt me babanë e tij, të shtrirë në spital.
“Në mëngjesin e ditës së hënë, në Njësinë Koronare Intensive, në Repartin e Kardiologjisë, kujdestarinë e ka pranuar Masar Gashi. Qysh në momentin e marrjes së kujdestarisë, është treguar arrogant me familjen time”, pohon Xheladin Ujkani, i cili thotë se përveç familjes së tij, ai e ka vërejtur të njëjtën arrogancë edhe me familjarët e tjerë të disa pacientëve të shtrirë në atë repart.
“Familjarët e ardhur nga vende dhe rajone të ndryshme të Kosovës, nuk i ka lejuar as të kenë kontakte me familjarët e shtrirë në këtë repart”, thotë Xheladin.
E, sipas tij, e njëjta gjë i kishte ndodhur edhe motrës së tij, e cila kishte shkuar në spital për vizitë te babai.
“Edhe pse motra dhe nëna ime ishin prezente në korridorin e repartit, ato nuk u lejua të hyjë në pjesën ku babi ishte i shtrirë. Megjithatë, pas një kohe arritëm që të tre të hyjmë”, thotë i bindur ai.
“Pa kaluar ende 2 minuta, mjeku në fjalë ka hyrë në dhomë dhe me shumë arrogancë e ka kërcënuar motrën teknike me fjalët si, ke m’u dënu ti për këtë, kinse pse na ka lejuar të futemi për vizitë te babai”, sqaron Xheladini, sipas të cilit motrën dhe nënën e tij i ka nxjerr jashtë.
Kjo sjellje e mjekut kujdestar, Masar Gashi, sipas Xheladin Ujkanit, ia ka përkeqësuar gjendjen babait të tij.
“Në atë moment shkova në zyrën e motrave për të kërkuar ndihmë nga ana e motrave. E aty ishte edhe Masar Gashi me një mjek tjetër, i cili, pasi unë bisedova në mënyrë korrekte me kujdestarin, më shtyri dhe tentoi ta mbyllë derën”, u shpreh Xheladini, sipas të cilit, pas disa insistimeve, Masar Gashi që ishte mjek kujdestar në atë moment, u nis drejt babait të tij, i cili kishte nevojë për kontroll pas gjendjes shëndetësore të acaruar.
“Por mua tentoi të më nxjerrë jashtë repartit nëpërmjet sigurimit”, thotë ai.
Por, edhe pse kjo ngjarje tashmë ka kaluar, Xheladin Ujkani nuk e ka ndërmend ta lërë me kaq. Ai një kopje të ngjarjes e ka dërguar edhe në Inspektoratin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar që ky rast të merret me seriozitet maksimal.
“Nga Inspektorati Shëndetësor pres të marrë masa urgjente, konkrete dhe të domosdoshme, në mënyrë që Masar Gashi t’i ndryshojë sjelljet dhe të tregohet më i kujdesshëm në raport me pacientët”, vlerëson Xheladini, i cili shprehet i bindur se këtë akt nuk e ka bërë vetëm për familjen e tij.
“Këtë e kam bërë për të gjithë ata pacientë që kanë nevojë për mjekun në fjalë. Dhe, shpresoj shumë që dikush do të merret me këtë rast”, thotë i bindur Xheladin Ujkani.
Expressi ka tentuar që të kontaktojë edhe me Masar Gashin, mjekun për të cilin Xheladini është ankuar, mirëpo ai nuk u shpreh i gatshëm të flasë për këtë çështje.
“Kam shumë punë më të mençura për të bërë. Nuk kam kohë të merrem me ju gazetat. Nuk dua të prononcohem për këtë çështje”, u shpreh Gashi për Express.