E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla NSHU, 2 vjet peng për 15 milionë lekë

15/04/2009  Drejtoria Arsimore: Kemi dërguar shkresa, por ende s’ka një përgjigje

Bashkia: Mungojnë fondet. Nxënësit kalojnë përmes rrugës automobilistike

ELBASAN-Një godinë shkollore mbetet peng për 15 milionë lekë, ndërsa nxënësit udhëtojnë çdo ditë në anë të rrugës automobilistike duke shkuar në një godinë të vjetër në anën tjetër të lagjes. Historia e shkollës është bërë si ajo e odisesë aq sa banorët i kanë humbur shpresat për një shkollë të përfunduar. Ata thonë se qysh në shtator vjet kjo shkollë duhet të ishte gati dhe nxënësit duhet të ishin ulur nëpër banka, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Teksa hyn brenda në godinë vëren se shkolla ka ende punime për të bërë dhe ka mbetur gjithashtu oborri dhe rrethimi. Kjo ka bërë që shkolla të mos kthehet në ambient për zhvillimin e mësimit, por të mbetet ashtu e braktisur. Banorët përreth thonë se ka rreth 3 vjet që ka filluar shkolla dhe kur mbaroi të gjithë menduan që fëmijët e tyre nuk do të udhëtonin në anën tjetër të lagjes. Teksa vazhdon drejt rrugës automobilistike shikon nxënësit që kalojnë rrugën dhe më pas në grupe nisen në shtëpi. Çdo ditë prindërit rrinë të frikësuar për atë që do të ndodhë me fëmijët e tyre teksa ikin dhe kthehen për në shtëpi. Godina e braktisur dhe muri rrethues i pandërtuar qëndrojnë si shembull se si për 3 vjet një shkollë mbetet e papërfunduar. Specialistët e Drejtorisë Arsimore thonë se disa herë kanë nisur shkresa për këtë qëllim, por më mirë këtë e sqaron bashkia, që sipas të cilëve merret me menaxhimin e fondeve. I kontaktuar nënkryetari i Bashkisë Dritan Çepa tha se arsyeja se pse kjo shkollë nuk është bërë gati për nxënësit janë 15 milionë lekë që kanë ardhur mangët në fondin e kësaj shkolle. Ajo ka kushtuar mbi 400 milionë lekë dhe sipas tij kjo shumë nuk është lëvruar duke bërë që shkolla të mbetet e papërfunduar. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›