E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla drejt shembjes, 230 nxënës mësojnë me frikë

Berat- Nxënësit e shkollës 9-vjeçare në një fshat të Berati zhvillojnë mësim me frikën e shembjes së shkollës. Shkak janë bërë muret e plasaritura dhe të çara në çdo cep, tavanë gati në rënie dhe dysheme e dëmtuar. Një ambient që vetëm shkollë nuk mund të quhet.

Shqetësimin e kanë ngritur prindërit e 230 nxënësve që mësojnë në shkollën e fshatin Hingë, të komunës Poshnje në Berat, të cilët kanë njoftuar komunën se në kushte të tilla nuk mund t’i dërgojnë më fëmijët.

Së fundi ka mbërritur një grup inspektimi, ngritur nga komuna, i cili pasi ka parë nga afër godinën ka konstatuar problemet që kishin alarmuar nxënësit edhe prindërit.

Burimet nga komuna thonë se grupi i ekspertëve, pasi ka parë nga afër dhe në detaj të gjitha problemet teknike të kësaj shkolle ka dalë me konkluzionin se shkolla është jashtë përdorimit dhe se në këtë godinë nuk duhet zhvilluar asnjë orë mësimi, pasi nuk ka siguri.

Sipas grupit të ekspertëve shkolla ka shkarje në themele, që ka shkaktuar çarjen e mureve, lëvizjen në nivelin ndërtues të mureve të godinës, që mund të pasohet me shembje e saj.

Ky përfundim i është transmetuar pushtetit vendor, i cili tani duhet të gjej ambiente të tjera për zhvillimin e mësimit. “e kemi shumë të vështirë të gjejmë ambinet tjetër, qoftë edhe me qira për zhvillimin e mësimit për 275 nxënës, duke përfshirë edhe ata që frekuentojnë kopështin”- thotë Meleq Lila, kryetar i komunës. Ai shton se i është bërë me kohë kërkesa ministrisë së Arsimit, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje për rikonstruksionin e godinës ekzistuese.

Menjëherë pas grupit të ekspertëve i është dërguar sërish shkresë ministrisë, në pritje të zgjidhjes. Deri atëherë, nxënësit e fshatit nuk dihet se ku do të vijojnë mësimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›