Mashtruesi Dosena dënohet me 8 muaj burg
Dënohet me 8 muaj burg dhe 600 euro gjobë Xhiuzepe Dosena, për tentativë mashtrimi për çështjen e dështuar të blerjes së Sampdorias. Tre të pandehur të tjerë, Antonino Pane, Andrea Stanji dhe Mauro Galjardi, janë dënuar me një vit burgosje dhe 900 euro gjobë. Që të katërt duhet të dëmshpërblejnë palën e dëmtuar. Për të gjithë ekzekutimi i dënimit mbetet pezull. Çështja ka të bëjë me blerjen e klubit italian nga ana e një sipërmarrësi hipotetik arab. Për Bepe Dosenën, kjo nuk është përpjekja e parë për një mashtrim të tillë.
SI IA MBATHI NGA SHQIPËRIA- Në fakt, ish-futbollisti i kampionatit italian, i cili është shpallur kampion bote me “axurrët” në vitin 1982, nuk e ka për herë të parë që bën gjeste të tilla. Përkundrazi, ai ka edhe një precedent në vendin tonë, kur kreu një derdhi mjeshtërore edhe kur drejtonte stolin e kombëtares shqiptare në vitin 2005. Pasi nënshkroi një kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit, super-mashtuesi Dosena, u largua si pa të keq dhe pa dhënë shpjegime, pasi me mirëbesim i ishin dhënë të gjitha paratë. Me arrogancën më të madhe, pasi ia kishte mbathur si hajdut natën, ai shkoi të drejtonte kombëtaren e Libisë së Gedafëve. Por më pas, për t’iu shmangur ndonjë ndëshkimi shembullor të FIFA-s, ai arriti kompromisin me Federatën tonë dhe ktheu paratë që i detyrohej, për prishje të njëanshme të kontratës. Por kësaj here, Dosenës ia kanë hequr maskën dhe për të nuk ka më shpëtim. Ish-lojtari i Sampdorias është dënuar nga gjykatësi Kardino me akuzën e mashtrimit me qëllim përfitimin. Edhe pse ai nuk do t’i kalojë ditët në qeli për dënimin e marrë, legjislacioni italian parashikon që Dosena të skedohet, dhe në rast përsëritjeje të dënohet më rëndë si përsëritës i vepërs penale. Për fatin e mirë të tifozëve shqiptarë, ky “Sude alla’italiana”, u largua shpejt nga vendi ynë, sepse pot ë kishte qëndruar edhe disa kohë, kleptomani i sëmurë, mbase do të na kishte shpikur një sistem të ri firmash piramidale.