E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla e një shoqërie në tranzicion

PO KONSTATOHEN PASOJAT

Në diskutimet mediatike për aspekte të ndryshme të reformës në arsim, gjithnjë e më shumë po përfshihen politikanë, pedagogë, specialistë të arsimit, autorë të teksteve dhe nxënës. Pohohet, dhe me të drejtë, se "cilësia jo e mirë e teksteve shkollore konstatohet nga përmbajtja me gabime kuptimore e gjuhësore, që në disa raste përsëritet në klasa të ndryshme"; se "ndërtohen programe të shkëputura që shkaktojnë interferencë nga njëri vit te tjetri, ose ka informacion të panevojshëm"; se "nuk u nda matura nga pranimet në universitet"; se "në Universitetin e Tiranës vetëm 15% e studentëve të vitit të parë, kanë ardhur nga ata që kanë kërkuar tri preferencat e para, të tjerat janë bingo"; se "korrupsioni nuk u luftua, madje metastazat e tij u shtrinë aq shumë saqë u përgjithësuan te të gjithë"; se "në shkollën tonë (pavarësisht nga objektivat e larta) hedhim para dhe kemi gjysmën e nxënësve që nuk përfitojnë gjë prej gjëje nga gjithë këto investime", se "duke krahasuar gjendjen në vend me atë në shtetet e tjera evropiane jo vetëm evropiano-perëndimore, por dhe lindore, fatkeqësisht vërehet të qëndrojë konstatimi se: Shqipëria nuk ka një sistem arsimor, të përafërt me ndonjë shtet evropian" etj.

Artikulohen dhe sugjerimet. Dikush, nevojën për tekste cilësore e lidh me kërkesën "për të sjellë nga jashtë tekste për këtë ose atë disiplinë"; dikush tjetër reformimin e sistemit të maturës shtetërore e shoqëron me sugjerimin për ndryshime në sistemin e vlerësimit, ku "testi i mbylljes së maturës, si detyrë e atyre që merren me këtë sistem shkollimi, të hartohen nga mësues të shkollave të mesme, ndërsa për pranimet në universitet testimet duhet të hartohen në bashkëpunim me universitetet". Të tjerë mendojnë se "zgjidhja do të vinte kur në shkolla publike të jepte vetëm disa njohuri shkencore minimale dhe vëmendja të përqendrohej në zhvillimin e aftësive sociale që do ta bënin nxënësin më të aftë për të jetuar në komunitet, ndërsa për nxënësit vërtet të vullnetshëm dhe të talentuar të ndërtoheshin shkolla të veçanta" etj.

Sipas mendimit tim, përgjithësisht po evidentohen pasoja që duken dhe preken. Por, mos do duhet të kërkojmë më thellë për të gjetur mekanizimin që i prodhon ato?

SHKOLLA JONE TRADICIONALE

Duket se gjithë sa pohohet lejon t‘i qasesh një përgjithësimi kritik: sistem ynë arsimor nuk mund të jetë i aftë të plotësojë nevojat e burimeve njerëzore të shoqërisë së sotme dhe asaj të nesërme që mbështetet në dije, pra, përfundimisht, nuk mund të ofrojë cilësinë e nevojshme dhe barazinë e mundësive, sepse, dhe më së pari, vetë dokumentet rregullatore, që i referohen strukturës së sistemit tonë arsimor, parimet dhe pohimet mbi të cilat mbështetet organizimi i tij, janë hartuar në funksion të shkollës tradicionale të një shoqërie në tranzicion.

Shkolla tradicionale mbështetet mbi informacionin. Sipas kësaj paradigme, informacioni është zemra e arsimit, prej nga ku buron ideja se ai që zotëron informacion mund të operojë automatikisht me të në çdo nivel të sofistikuar. Një model i tillë arsimi, vërtet, prodhon arritje cilësore me elitat, por sjell dështime serioze në nivelin e arsimimit masiv. Prandaj sistemet arsimore po u nënshtrohen reformimeve komplekse. Ngado në botë, por dhe në vendin tonë, epoka dixhitale po kërkon një numër të madh njerëzish të trajnuar për të përdorur mjetet e sofistikuara të shekullit XXI, pavarësisht kushteve ekonomike të pamjaftueshme të së tashmes. Edhe pse te ne, në mjaft zona të vendit, vazhdojnë të ekzistojnë praktika bujqësore primitive të shekullit të kaluar, edhe pse situata ekonomiko-shoqërore nuk mund të përmirësohet sa hap e mbyll sytë, statistikat tregojnë se teknologjia e lartë po rritet me shpejtësi në të gjitha fushat e jetës. Në këtë kontekst, unë mendoj se synimi, sipas të cilit "nxënësit duhet të dinë pak nga të gjitha", është i padobishëm dhe nuk vlen. Ndaj ne do duhet të ridimensionojmë gjithçka në punën e shkollës tonë. Dhe kjo, sigurisht, duhet të nisë me reformimin e kulturës së nxënies, proces që reformon dy përbërësit kyçë të saj: kurrikulin kombëtar dhe sistemin e administrimit të sistemit/shkollës. Në këtë rast, procesi nuk mund të orientohet më nga nevojat që ka sot shoqëria jonë në tranzicion, por nga kërkesat që ka formuluar dhe po i promovon dita-ditës shoqëria e dijes.

SHKOLLA E SHOQERISE SE DIJES

Shkolla e shoqërisë së dijes synon të ndihmojë çdo nxënës të ndërtojë grupe të strukturuara kompetencash funksionale, çka tregon në mënyrë të qartë zhvendosjen nga dijet enciklopedike (të pamundura për t‘u arritur sot kur informacioni e shumëfishon veten me shpejtësi të madhe-madje, ka zëra që thonë se dija e dyfishon vëllimin çdo 5 vjet), drejt një kulture të re të veprimit konceptualizues, që përfshin zbatimin në jetë të strategjive dhe teknikave të përshtatshme. Është kjo dhe arsyeja që e ka shtyrë Këshillin dhe Parlamentin Evropian, në fundin e vitit 2006, të përshtatë Kornizën Evropiane të Kompetencave kyçe për nxënien e Përhershme. Në këtë kontekst, mjaft vende evropiane, në intervalin 2004-2007, kanë ndërmarrë veprimtari për të parë se si politikat kombëtare mbi nxënien e përhershme dhe kurrikulat shkollore i konceptojnë dhe trajtojnë kompetencat kyçe. Konstatohet se, në mënyrë të qartë ose tërthorazi, kompetencat kyçe janë përfshirë në dokumentet më të rëndësishme drejtuese të arsimit. Nuk po përmend këtu kërkimet dhe arritjet në këtë aspekt të organizatave prestigjioze si UNESKO dhe OECD.

Dija po zhvillon tani një kuptim të ri, kuptim që është i dallueshëm nga ai mbi të cilin mbështetet shkolla jonë. Ndaj zhvillimet e shoqërisë së dijes janë sfida madhore për këtë shkollë. Ne nuk mund ta trajtojmë sfidën duke shtuar më shumë ide në strukturat ekzistuese. Ne kemi nevojë për një kuadër rregullator tërësisht të ri, kuadër, që merr parasysh kuptimin e ri të dijes, por që, njëherazi, i jep kujtdo mundësi të njëjta për sukses. Sepse shkollat nuk janë kompani që orientohen nga ligji i kërkesë/ofertës, sot të suksesshme, nesër në recension. Shkollat konceptohen si "blloqet" me të cilët ndërtohet shoqëria jonë e ardhshme, si institucione që punojnë për të arsimuar, shoqërizuar dhe kualifikuar nxënësit.

Duke e parë sfidën nga ky këndshikim, ne nuk kemi pse të çuditemi nga efektiviteti tejet i ulët i sistemit arsimor. Kështu, p.sh., ne nuk duhet të na habisë vlera e munguar e maturës shtetërore, kur pamë se si u deformua "ditën për diell" parimi themelor modern i procesit vlerësues: vlerësimi nuk është qëllim në vetvete; nxënësit nuk nxënë që të vlerësohen, por ata vlerësohen që të ndihmohen të nxënë më mirë. Nëse zgjerohet edhe pak më shumë "rrethi i diskutimit", mund të thuhet se nisma të tjera, që shumëkush i gjen sot jo efektive, po "zgjatin" të djeshmen (si teori dhe praktikë) për t‘iu përgjigjur nevojave të ngutshme që shoqëria jonë ka sot. Një ilustrim domethënës i kësaj ideje është, p.sh., terminologjia, tejet e lodhur, që përdoret për të hartuar dokumentet rregullatore të prodhuar nga MASh për shkollat dhe agjencitë vartëse; ose një pjesë e mirë e shkrimeve që botohen në periodikun e saj - gazetën "Mësuesi". Po kështu, për mendimin tim, cilësia jo e mirë e teksteve shkollore nuk e ka burimin vetëm te mungesa e autorëve ose botuesve profesionistë, por, dhe para së gjithash, te filozofia arsimore e cunguar dhe kuadri konceptual "i ngushtë" që udhëheq procesin tonë reformues. Çdo program/projekt, që do të zbatojë MASh, është i paracaktuar të dështojë, nëse nuk ne nuk investohemi të përvetësojmë dhe të konkretizojmë sistematikisht kuptimet e reja për dijen, shkollën, kurrikulin, kuptime që shprehen, më së pari, nëpërmjet zhvendosjeve të mëdha: nga "si të zhvillojmë mësim" te "si nxënë nxënësit"; nga "objektivat e programit" te "kompetenca për nxënësit"; nga "ndiq udhëzimet e mia" te "bëj zgjedhjen tënde"; nga "kurrikuli i strukturuar" te "kurrikuli i larmishëm" etj.

Këto zhvendosje (pse të mos themi përmbysje?) prekin çdo element dhe qelizë të shkollës: përbërësit e kurrikulit kombëtar, praktikat e mira të nxënies dhe procesin e vlerësimin, për të mos shkuar më tej. Në themelin e programeve të studimit dhe të teksteve sot vihen konceptet e kompetencave kyçe (kompetencat intelektuale, ato metodologjike, kompetencat personale/shoqërore dhe ato që lidhen me komunikimin) si dhe kompetencat lëndore, që janë bazë për të siguruar nxënien e këndshme, normalizimin e ngarkesës mësimore dhe zbatimin e dijeve. Ato (zhvendosjet) e konceptojnë procesin e nxënies si proces të integruar që nga viti i parë i shkollimit deri në përfundimin e maturës. Madje, nëse i referohem rastit të Zelandës së Re, që miratoi Kurrikulin kombëtar në vitin 2007, më duhet të them se integrimi vertikal kërkohet të përfshijë dhe shkollën e lartë (shih: http://nzcurriculum.tki.org.nz/the_new_zealand_curriculum).

Ndërkaq, lexuesi ftohet ta perceptojë shkrimin edhe si kërkesë në vëmendje të qeverisë, Akademisë së Shkencave dhe universiteteve, pasi ndërtimi i shkollës së re nuk mund të jetë më ekskluzivitet vetëm i disa nëpunësve dhe OJF. Për më shumë, kur një pjesë e tyre, mesa duket, nuk e kupton se po qëndron në një stacion, nga ku treni i dijes dhe i informacionit ka vite që është larguar. Dhe kjo bash në kohën kur po kërkojmë të integrohemi në Evropë, atje ku besimi në vlerat e arsimit përbën, ndoshta, një nga ideologjitë më të rëndësishme dhe më të përhapura.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›