E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet atentati ndaj emigrantit tek "Ali Demi", pranga autorit

Zbardhet atentati ndaj dy
personave te një lokal i
njohur në Tiranë, ndërkohë
që policia ka arrestuar autorin e
dyshuar. Elvis Gurra është ndaluar
dje për tentativën e vrasjes
ndaj Roland Domit dhe Çlirim
Goroshjanit, ndodhur në maj të
këtij viti. Burimet policore bënë
të ditur se nga seksioni kundër
krimeve ndaj jetës dhe shëndetit,
në orën 13:00, u bë ndalimi i Elvis
Gurrës, 25 vjeç, lindur dhe banues
afër Senatoriumit, i dënuar
më parë për vrasje. Sipas policisë,
ndalimi i tij u bë në bazë të
urdhrit të prokurorit, pasi është
autor i "vrasjes me paramendim",
e mbetur në "tentativë" të Roland
Domit dhe Çlirim Goroshjanit,
ndodhur më datë 17 maj 2008, në
rrugën "Ali Demi", në parkingun
e një lokali. Çlirim Goroshjani
dhe Roland Domi, si dhe dy miq
të tjerë të tyre, kanë qenë në restorantin
e njohur në rrugën "Ali
Demi", për të drekuar së bashku.
Pasi kanë përfunduar drekën, dy
të plagosurit kanë dalë nga lokali
dhe janë afruar për të hyrë në një
"Mercedez Benz" të zi, model
"Rexhina" me targa, TR 1380
L, në pronësi të Roland Domit.
Një person i veshur thjeshtë, me
xhinse, me flokë të zeza, u është
afruar dhe në mënyrë të menjëhershme
ka qëlluar në drejtim
të tyre me armë zjarri. Sipas
burimeve të policisë, autori ka
qëlluar gjashtë herë në drejtim të
dy personave me qëllim eliminimin
e tyre fizik. Çuditërisht, nga
të shtënat, Goroshjani dhe Domi
kanë marrë vetëm plagë anësore
ose në këmbë. Autori i krimit
është larguar menjëherë. Sipas
burimeve të policisë që u referohen
dëshmitarëve, autori që
mendohet se ka vepruar i vetëm,
është larguar në këmbë duke
kaluar në një rrugicë në krahun
e poshtëm të restorantit. Më pas,
ai është futur përmes pallateve
për t‘u zhdukur pa lënë gjurmë.
Dy të plagosurit janë nisur për në
spital me një mjet tjetër "Mercedez
Benz" të dy shokëve të tyre
me të cilët sapo kishin drekuar.
Sipas të dhënave të policisë, 25-
vjeçari Gurra është personi që u
mor peng para pak javësh nga
Domi dhe Aleksandër Akulli. Ky i
fundit është arrestuar nga policia,
ndërsa Domi është shpallur në
kërkim. Pengmarrësit e kishin
kryer këtë akt në shenjë hakmarrjeje
për atentatin ndaj Domit.
Sipas dosjes hetimore, emigranti,
i cili sapo ishte kthyer, e kishte
zbardhur ngjarjen para policisë.
Sipas dyshimeve të policisë, kjo
ngjarje e ka zanafillën vite më
parë për probleme në emigracion.
Gurra ka qenë i dënuar më
parë për vrasjen e nënës së tij. Në
tetor të vitit 2004, ai ka vrarë me
armë zjarri të ëmën, Nurie Gurra.
Gjatë gjykimit të çështjes ngjarja
është konsideruar si aksidentale,
pasi djali kishte tentuar t‘i merrte
nga dora armën e mbushur nënës
së tij. Megjithëse nuk janë sqaruar
arsyet se përse nëna e kishte armën
në dorë dhe si ndodhi qitja
e pavullnetshme, gjykata e ka dënuar
25-vjeçarin vetëm me tre vjet
e katër muaj burg, vendim i dhënë
në shkurt të vitit 2005. I pandehuri
kishte pasur gjatë gjykimit edhe
mbështetjen e familjarëve, të cilët
kishin deklaruar në prokurori se
gjithçka ishte aksidentale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›