Armët, më shumë blejmë sesa shesim
Koha kur Shqipëria rriste fitimet me shitjen e armëve dhe municioneve duket sikur ka perënduar. Shifrat e fundit e dëshmojnë një gjë të tillë, ku niveli i eksporteve ka pësuar një rënie të madhe në krahasim me vitet 2006-2007. Për periudhën janar-shtator 2008, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raporton një nivel shumë të ulët tregtie të armëve, gati dhjetëfish më pak në vlerë. Gjatë kësaj periudhe, vendi ynë, me anë të MEICO-s, ndërmarrje shtetërore që punon për Ministrinë e Mbrojtjes, ka shitur rreth 300 mijë dollarë armë dhe municione, ose në sasi rreth 91 tonë. Niveli i ulët shpjegohet me ngjarjen e ndodhur më 15 mars të këtij viti, ku nga tragjedia në Gërdec qeveria u detyrua të pezullonte aktivitetin e shitblerjes së armëve. Ndryshimi i personelit të MEICO-s, deri në rang drejtuesish, bllokoi procesin e tregtisë së armëve me vendet ku Shqipëria ka lidhur marrëveshje. Pavarësisht kësaj, pezullimi i punës për një periudhë gati dymujore nuk ka reflektuar të njëjtën gjë për ecurinë e importeve. Shifrat flasin për një nivel në rritje në krahasim me dy vitet e fundit. Kështu, gjatë nëntë muajve të parë të vitit, qeveria shqiptare ka importuar rreth 117 tonë armë dhe municione, me një vlerë prej rreth 1 milion dollarësh. Kjo shifër është 400 dhe 500 mijë dollarë më e lartë se niveli i importeve të kryera përkatësisht në vitet 2006 dhe 2007.
Duke iu rikthyer çështjes së eksportit të armëve, vendi ynë ka regjistruar një nivel rekord në vitin 2007, ku falë shitjes së 2 mijë e 600 tonë armëve u siguruan afro 2.8 milionë dollarë. Shifrat janë pothuajse të njëjta edhe për vitin 2006, ndërsa në 2005-ën tregtia rezulton në një nivel eksporti prej 350 mijë dollarësh.
Ndërkaq, nivelin më të lartë të importit vendi ynë e ka regjistruar në vitin 2005, me rreth 259 tonë, me një vlerë që shkon afërsisht në 980 mijë dollarë. Pavarësisht këtyre treguesve, qeveria nuk ka arritur të bëjë asnjëherë transparente nivelin e të ardhurave për buxhetin e shtetit që mund të sigurohen nga tregtia e armëve. Edhe pse kontratat me vendet e ndryshme arrijnë në dhjetëra milionë dollarë, në buxhetin e shtetit nuk figurojnë sasi të konsiderueshme të ardhurash. Këto fakte janë konfirmuar edhe nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.