E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla e shkatërruar, banorët refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët

01/09/2010 Investimi i munguar, 10 vjet asnjë përgjigje

ELBASAN- Një shkollë gjysmë shekullore po shkon drejt rrënimit të plotë dhe 90 nxënës nuk mund të nisin vitin shkollor në ambientet e saj. Janë 450 banorë të fshatit Papërr-Sallak të komunës Papërr në rrethin e Elbasanit që nuk kanë një zgjidhje tjetër vetëm t’i lënë fëmijët pa mësim. Objekti shkollor që tani ka pamjen e një rrënoje është ndërtuar në vitin 1960 dhe sipas dëshmive të banorëve dhe mësuesve për vite të tëra nuk është vënë dorë në të. Për shkak të terrenit të thyer dhe të vështirësive, banorët nuk kanë as mundësinë t’i çojnë në një shkollë tjetër të afërt fëmijët e tyre, pasi do të duhen plot dy orë në këmbë për të mbërritur në objektin më të afërt arsimor. Godina aktuale është pa banka me mure të dëmtuar, pa tavan dhe pamje të mjeruar. Përroi i Paprrit ka gërryer dheun duke arritur deri në themelet e shkollës. Gjatë dimrit shembja e saj është e paevitueshme për shkak të prurjeve të shumta të përroit. Një prej mësuesve të shkollës që gjithashtu ka edhe fëmijët për shkak se është banor i zonës thotë se kjo godinë duhet të ishte shembur me kohë dhe në vend të saj të ishte ndërtuar një e re. Ramazan Çela thotë se prindërit kanë vendosur që këtë vit të mos i sjellin fëmijët në shkollë duke bërë që të humbin vitin për shkak të kushteve të godinës. Shkolla është në rrënim të plotë, por nuk mund të bëhet asgjë pasi komuna nuk ka mundësi të ndërhyjë për një investim të përmasave të mëdha për shkak të fondeve të pakta në dispozicion. E vetmja zgjidhje që mund të përballojë komuna është marrja e ambienteve me qira, por për fat të keq ky fshat nuk disponon asnjë ambient të përshtatshëm për zhvillimin e mësimit për 91 nxënësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›