Shkolla në Durrës, abuzim me 900 milionë lekë
Plas skandali me fondin e akorduar nga qeveria për shkollën e re në Durrës. Prej 10 ditësh drejtuesit e arsimit në qark dhe të shkollës "Neim Babameto" në Spitallë kërkojnë hetim të menjëhershëm të strukturave të shtetit, Prokurorisë dhe KLSH-së, për të zbardhur sipas tyre “abuzimin me fondin 900 milionë lekë, të dhënë nga qeveria, abuzim i kryer nga ana e supervizorëve që kanë ndjekur punimet e firmës nga Bashkia e Durrësit”. Nisur nga abuzimet dhe kushtet aspak të favorshme në objektin e ri arsimor, mbi 1300 nxënës të shoqëruar nga prindërit dhe mësuesit e tyre dhe inspektorë të DAR dhe Drejtorisë së Higjienës dhe Epidemiologjisë kanë protestuar për 60 minuta përpara dyerve të bashkisë. Ata, në protestën ku merrnin pjesë të gjithë nxënësit e shkollës së Spitallës "Neim Babameto", kërkuan zbardhjen e abuzimit me fondet e shtetit për shkollën e tyre. Prej 30 ditësh mjediset e kësaj shkolle janë mbyllur nga Inspektorati i Higjienës, pasi nxënësit rrezikohen të preken seriozisht nga disa lloje hepatitesh dhe sëmundje të tjera infektive. Duke folur me mësuesit dhe drejtuesit e shkollës mësuam se “në korridoret e saj kanë plasur ujërat e zeza, si pasojë e investimeve gjysmake dhe pa cilësi”. Vetëm dy vjet më parë (gusht 2007) MASH akordoi një fond prej 90 milionë lekësh të reja me qëllim ngritjen e një shkolle model në zonën informale të Spitallës. Lëvrimi i këtij fondi qeveritar iu besua Bashkisë së Durrësit, e cila përcaktoi vetë zbatuesit e këtij investimi. Por pikërisht, kur fondet janë harxhuar nga zbatuesit e projektit, gjendja e kësaj shkolle, e cila renditet më e madhja në Durrës, është skandaloze. Ujërat e zeza kanë shpërthyer nëpër korridore dhe klasa, pjesë të suvasë së mureve janë shpërbërë nga cilësia e dobët e punimeve dhe për arsye sigurie një 10 ditë më parë Inspektorati i Higjienës vendosi mbylljen e shkollës. Kjo ka sjellë që pothuajse gjithë nxënësit e saj nuk kanë tashmë se ku të bëjnë mësim. Protesta e tyre dje ka vijuar përmbi një orë, teksa dyert e bashkisë kanë qëndruar gjatë gjithë kohës të mbyllura për nxënësit. Në protestë merrte pjesë edhe drejtori i shkollës "Neim Babameto", Mark Laska, i cili i akuzoi bashkiakët e Durrësit si "palë me hajdutët e fondeve". Duke folur për “standard” ai deklaroi: "Në qoftë se do të ishin investuar 900 milionë lekë, atëherë ajo shkollë do të ishte një shembull i higjienës dhe kushteve të mësimdhënies, por kam bindjen se atje janë investuar më pak se gjysmat e këtyre parave". Të njëjtin qëndrim kritik po mban edhe DAR Durrës, duke kërkuar nga organet dhe strukturat e shtetit zbardhjen e skandalit dhe vënien para ligjit të personave përgjegjës.