Arti, si kaos apo përshtatje e kohës
Arti Pamor / Platoni mendonte se arti është zeje, punë këpucëtarësh apo marangozësh, ndërsa Hegeli konsideronte se artit po i përgatitej mbarimi, përkatësisht vdekja, për shkak se po kalon në botën filozofike; kurse Jozef Koshuti artin e barti në botën e koncepteve dhe ideve, mbase duke menduar se ka ardhur koha që nga ndjenjat, emocionet dhe zemra, të kalojë në mendje, logjikë e kokë
Tashmë është fare e qartë se arti pamor është shkëputur nga kuptimi tradicional dhe nga rrënja e vet ontologjike. Mu për këtë, edhe nofkat, përkatësisht nocionet me të cilat është cilësuar dhe emërtuar, ky art, i quajtur modern, postmodern, avangardë, neoavangardë, konceptual etj., nuk e determinojnë më kuptimin e as qenien e tij ontike. Përkundrazi, nocionet me të cilat sot interpretohet dhe cilësohet, e mjegullojnë edhe më, kështu që tashmë me të vërtetë nuk dihet ekziston apo jo arti, apo është fjala për një mani termash, nocionesh e interpretimesh të cilat do të kalojnë më kohën, natyrisht duke lënë pas vetes mjegullnaja dhe konfuzion. Me siguri terminologjia do të ndryshojë, por jo edhe kaosi, i cili, sidomos në artin pamor, sa po vjen e po shumëzohet me ekzemplarë të ndryshëm antiartistikë.
Në vitet e gjashtëdhjeta u paraqit Klod Levi-Shtros, me strukturalizmin e tij antropologjik, në të shtatëdhjetat, erdhi Zhak Derida, dhe solli destruktivizmin si teori të filozofisë dhe të artit, pastaj u paraqit Mishel Fuko që në fillim ishte ithtar i strukturalizmit edhe i ekzistencializmit të Sartrit, por më vonë u bë njëri nga zëdhënësit më të devotshëm të artit destruktivist. Këtyre iu bashkëngjit Zhak Lankan, duke zbatuar psikanalizën në procesin gnoseologjik. Ndonëse studiues të sferave të ndryshme të dijes, ata preken edhe artin, duke tentuar që ta përkufizojnë sipas dioptrisë së tyre studimore e shkencore. Por asnjëri syresh nuk dha ndonjë definicion relevant, të qëndrueshëm e standard për artin modern, të cilin filozofi P. Sloterdiku, e konsideronte si diçka të rëndomtë, siç është dielli që sillet rreth tokës. Dhe kështu, ky art vazhdoi të nëpërkëmbet herë nga antropologjia, herë nga filozofia e psikanaliza e më së shpeshti nga retorika teorike, duke u quajtur madje edhe parodi skizofrene.
Po në vitet e shtatëdhjeta, doli Zhan Fransua Luatard me një teori të re të artit posmodern, të lidhur me një shoqëri të re të legjitimuar si shoqëri elitare që duhet t’i ketë parimet, kriteret, estetikën e vet, madje dhe mënyrën e të menduarit ndryshe. Për më tepër, sipas tij, ekziston edhe një variant tjetër i postmodernizmit, të cilin ai e quan eklektik apo junk (hedhurinë), që plotësisht i përgjigjet nomenklaturës bashkëkohore të kapitalit dhe tregut. Kjo është pika zero e kulturës së gjithëmbarshme, ku arti njësohet me kiçin e ku i vetmi kriter është praja. Të tjera kritere për artin nuk ka. Këtu zë fill edhe lidhja e postmodernes me gej-lesbiket, për çka shkruan Judit Rut, në studimin e saj, “Gjendja postmoderne”.
Për seksualitetin e artit të kohës sonë flet edhe esteti dhe studiuesi francez, Zhan Budriar, në esenë e tij “Mallkimi i artit”. Ai artin e identifikon, përkatësisht e njëson me pornografinë, e cila tashmë është futur në të gjitha sferat e jetës, pra edhe në art. Mu për këtë artisti i shoqërisë së kohës sonë loz vetëm komedinë e artit, njësoj si shoqëritë e tjera që luanin komeditë e tyre ideologjike. Sipas tij, në këtë realitet pornografik e banal të artit, mund të ekzistojë ndonjë enigmë, mister apo formë e mënyrë për shpjegimin e seksit dhe të simboleve erotike e pornografike në art, mirëpo hëpërhë nuk mbetet kurrgjë tjetër, veçse këtë kaos e pakuptimësi të artit modern apo postmodern, “ta vështrojmë me ironi, krejtësisht indiferentë”. Dhe kur ndonjë fenomen i verifikuar prej kohësh e nëpër kohë nuk ei intereson më njeriut, nuk e ngacmon atë estetikisht, mendësisht e as intelektualisht, atëherë domosdoshmërisht pason fundi dhe mbarimi edhe i tij. Këtë mirë e vërejti ndaj edhe e qëmtoi Xhani Vatimo, në librin e tij, “La fine della modernita“ (Mbarimi i modernitetit).
Platoni mendonte se arti është zeje, punë këpucarësh apo marangozësh, ndërsa Hegeli konsideronte se artit po i përgatitej mbarimi, përkatësisht vdekja, për shkak se po kalon në botën filozofike. Kurse Jozef Koshuti artin e barti në botën e koncepteve, mbase duke menduar se ka ardhur koha që nga ndjenjat, emocionet dhe zemra, të kalojë në mendje, logjikë e kokë. Sipas tij, definicioni i artit është vetë arti apo arti është ide, ideja është art. Nuk e kam honepsur mendimin estetik të Marksit e as kundrimet e tij filozofike që tentonte t’i ngrinte në parime e doktrina të pakontestueshme, duke përfillur mënyrën transplantuese të ideve të filozofëve “idealistë”, siç janë Spinoza, Hegeli, Fojerbahu etj. Mirëpo, më ka bërë përshtypje një thënie e tij që tashmë mund të konsiderohet edhe profetike. Ai thotë: “Do të vijë koha kur njeriu, krahas punëve të përditshme (pra të rëndomta - M. F.) do të merret edhe me art”. Kjo kohë si duket po vjen, e me të po njëmendësohet edhe ajo thënia paradoksale e estetit dhe historianit të artit italian, Xhulio Karlo Argan. Sot mund të krijosh art, mund të jesh artist madje i pranuar dhe i nderuar, vetëm nëse ke ide, koncepte, nëse i përshtatesh kohës, realitetit, qoftë ai realitet pornografik apo skizofren.
*Ekstrat nga studimi “Vdekja klinike e artit”. Autori është piktor, kritik, eseist dhe redaktor në TVK, në Kosovë