Shqipëria në këndvështrimin e një të huaji
Trafiku në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, është “i lirë për gjithçka”. Nuk ka vija, nuk ka sinjale. Aty nuk ka rregulla. Ky është perceptimi i një gazetari të huaj, Wayte, i cili është ndodhur para disa ditësh në vendin tonë. “Në një vizitë në Tiranë, - shprehet në artikullin e tij, - u përfshiva në atë kaos me të gjitha instinktet vetëmbrojtëse, në gatishmëri. Makina që parakalojnë majtas apo djathtas, pa dhënë sinjalin. Por shpejt u mësova me këtë anarki”.
Imagjinoni, një të huaji iu deshën disa ditë të mësohej apo ta themi ndryshe, të përshtatej me kaosin e Tiranës. Po shqiptarëve vetë, që u është bërë pjesë e vetes, një mbijetesë pa rregulla? Shqipëria vërtet ka ndryshuar në mënyrë dramatike, por me hapa shumë më të ngadalshëm, sesa vendet lindore ish-komuniste. Dhe mbase është ky mentalitet, kjo përshtatje me të keqen, që na lë shumë e shumë më mbrapa sesa ato vende, që deri dje na konsideronin një vend ekzotik. “Më kujtohet një pikturë e sheshit “Skënderbej”, - shkruan ai, - ku në mesin e saj ndodhej vetëm një makinë”. Sot ai vjen në Tiranë dhe gjen mijëra makina, por në kaos. Si ajo makina vetmitare, që shpreh izolimin e thellë të diktaturës, si ato mijëra makina që shprehin një demokraci ende kaotike, të ngjallin trishtim. Kalimi nga një ekstrem në ekstremin tjetër tregon që na duhet ende kohë për të kaluar tranzicionin.
Demokracia shqiptare është si rrugët e saj. Mbase kaosi i rrugëve është pasqyrë e atij rrugëtimi kaotik “demokratik”. “Një punë në progres, mbase edhe në regres”, - vazhdon artikulli. Dhe perceptimi i tij është i saktë. Kaosi nuk ka drejtim, mund të të çojë përpara, por ka të gjithë probabilitetin të të çojë edhe mbrapa.
Ne, si komb, ende nuk kemi larë mirë hesapet me të kaluarën. Një e kaluar e hidhur është pengesë serioze për të ecur përpara. Plaka nuk bëhet e re me një buzëkuq apo qoftë edhe me një estetist shumë të zotin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk e rinon dot kryeqytetin tonë të dashur, as duke i lyer të kuqe fasadat e pallateve të Enverit, as portokalli, blu apo të verdha (ngjyra shumë të dashura për të, si piktor ekspresionist).
Nuk e rinon dot Tiranën edhe duke e mishmashuar me dhënien pa kriter të lejeve të ndërtimit për pallate të reja, mes atyre të vjetra. Kjo e ka shndërruar Tiranën në një nga kryeqytetet më qesharakë të botës. Dhe e çuditshmja është se ky njeri ka parë dhe shëtitur përtej hundës së këtij kryeqyteti. Në Parisin, ku ai punoi me vite, janë të mirëndara dhe mirëpërcaktuara tradita me të renë. A mund të çojë ndërmend kryetari i Bashkisë së Parisit, që në krah të katedrales së famshme, të ndërtohet ndonjë qiellgërvishtës??? Sado që për një moment mund të lajthisë apo nga dëshira për ndonjë shumë marramendëse mund ta lejonte të ndodhte, një kulturë e tërë do ta frenonte.
Ndërsa Tirana, “në kaos, se në kaos”, i bashkangjit arkitekturës italiane në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (të vetmin të hajrit që kemi) dy kulla bashkë(m)ohore. “Në kaos, se në kaos”, afër xhamisë së Tiranës me arkitekturë të shekullit 1800 dhe Bibliotekës Kombëtare me arkitekturë ruse, e disa pallateve enveriane, ngrihet një 20-katësh modern.
“Për 100 ditë do ta pastroj Tiranën”, - u shpreh në fillimet e karrierës bashkiake kryetari aktual i saj. “Tirana, qyteti i bumit dhe i pluhurit mbushur me konstruksione të reja”, - vazhdon me perceptimin e tij i huaji. E pra, kanë kaluan tashmë jo 100 ditë, por 10 vjet dhe ne ende perceptohemi si kryeqyteti i pluhurit dhe kaosit.
“Megjithëse me paterica, Evropa nuk ndaloi procedurat për anëtarësimin e Shqipërisë. Ende Shqipëria ka shumë për të ndryshuar, përpara se t’i bashkohet klubit të elitës. Por nëse vërtet dëshiron të bëhet një anëtar i barabartë i këtij komuniteti, duhet të mendojë seriozisht, të vendosë sinjalistikën për trafikun e kryeqytetit të saj”.
Në Tiranë funksionon ende logjika e (pa)ligjit dhe e moslejimit të funksionimit të tij.
S’ka se si të ndodhë ndryshe, kur nuk lejohet të funksionojë tempulli i hartimit të ligjit. Askush nuk po mundet të ndryshojë handikapin më të madh që mund t’i ndodhë një demokracie. Mosfunksionimin, për momentin, të Parlamentit. Mosfunksionimi i Parlamentit krijon një imazh negativ për demokracinë, ende të brishtë shqiptare. Kjo sigurisht mund të sjellë vonesë, në pranimin si vend kandidat në BE. Kjo është ajo çka i duhet shefit të opozitës. Hyrja në familjen biologjike evropiane, gjatë këtij mandati, do t’ia zgjaste pafundësisht jetën mazhorancës. Me sa duket, shefi i opozitës e percepton si shkurtim të ditëve të tij.
Epo nuk mund të lejojmë Parlamentin të funksionojë si trafiku i Tiranës. Kur duam hyjmë, kur duam dalim, parakalojmë pa sinjal, majtas e djathtas. Vetë e bëjmë ligjin elektoral, pastaj kur nuk na konvenon, e flakim pa asnjë hezitim. I vendosim vetë anëtarët e komisioneve, të cilët sipas të gjitha rregullave, kanë firmosur procesverbalet dhe më pas nuk i njohin më, këta njerëz. “Në qoftë se, t’i jepje makinës ishte një sfidë, të ishe kalimtar ishte edhe më keq”, - shprehet ky i huaj. Unë po e modifikoj. Në qoftë se të drejtosh (makinën)shtetin është një sfidë, të jesh (kalimtar)shtetas shqiptar, është shndërruar në një sfidë të mundimshme. Kjo është një trysni, një pasiguri, që tashmë është bërë e tepërt për qytetarin shqiptar. Si popull, kemi harxhuar boll kohë mitingjeve. Ende nuk arrijmë të kuptojmë (apo nuk duam të kuptojmë), që ligji i miratuar në parlament, më pas prodhon siguri e stabilitet. Askund, askush, asnjëherë, në vendet e qytetëruara, nuk ka patur produkt nga rruga. Ne ende i rikthehemi e i rikthehemi pafundësisht politikës së rrugës, megjithëse kurrë nuk është përftuar asgjë prej saj. Edhe shefi i mazhorancës, që është konsideruar mjeshtër i mitingjeve, është detyruar në një moment të caktuar, të lerë protestat dhe t’i rikthehet ligjit të parlamentit. Një gjë e tillë sjell perceptimin negativ të të huajve që vizitojnë Shqipërinë, duke e konsideruar demokracinë shqiptare si rrugët e saj, në kaos. Ky perceptim, më pas, mund të arrijë tek investitorët, pasi për ta kemi edhe më shumë nevojë, se për vizitorë. Në cilin vend të Bashkimit Evropian, që dëshirojmë aq shumë t’i ngjajmë, një forcë politike e pakënaqur, bojkoton parlamentin? Sa kohë ka pa ndodhur diçka e tillë, në qoftë se ka ndodhur? Askush, me sa duket, nuk arrin ta kujtojë, pasi me vendosjen e demokracisë në ato vende nuk ka ndodhur kurrë.
Në vendet e qytetëruara zhvillohet luftë brenda në parlament, nuk i bëhet luftë parlamentit. Ne dhunojmë parlamentin, rrihemi në parlament, deri edhe vrasim brenda në parlament. Kemi një koncept shumë të gabuar për atë tempull, që duhet të jetë i shenjtë. Për pushtet personal, digjet Shqipëria, për pushtet personal, e fusim në krizë ekonomike Shqipërinë, (zgjedhjet elektorale kushtojnë miliona dollarë, një kosto e lartë për shqiptarët), për pushtet personal, e lëmë këtë vend pa ligje të domosdoshme. Për pushtet personal, e lëmë këtë vend jashtë familjes evropiane. Kjo ka një kosto të lartë për shqiptarët. Dhe këtë kosto do ta paguajnë ata, që po bëhen pengesë serioze për këtë zhvillim të domosdoshëm. Të gjithë sot i kanë sytë nga politika opozitare, që në momente kaq të rëndësishme, të bëhet e përgjegjshme dhe të tejkalojnë pushtetin personal (që po i rrëshqet nga këmbët), të tejkalojnë interesat ekonomike personale.