Shkollat në rikonstruksion në mes të vitit, nxënësit mësim mes llaçit e tullave
Rikonstruksioni i disa shkollave në kryeqytet ka qenë një nga faktorët shqetësues jo vetëm për vonesat e sorollatjet e nxënësve por edhe për ndalesën e orëve të mësimit të cilat në të shumtën e rasteve bëhen të përgjysmuara. Ky shqetësim është deklaruar
ditën e djeshme për gazetën SOT nga vetë mësuesit e stafeve të shkollave Petro Nini Luarasi të shkollës së Gjuhëve të Huaja, por edhe disa shkolla të tjera të kryeqytetit që janë në rikonstruksion. Nga ana tjetër edhe për familjarët rikonstruksioni i shkollave në mes viti është një shqetësim i madh. Gjatë një vëzhgimi të kryer ditën e djeshme në disa prej shkollave që janë në rikonstruksion, rrëmuja e krijuar e dherat e hedhura pa kriter tregonin se rregullimi i shkollës gjatë procesit mësimor është vërtet një pengesë e madhe për nxënësit e për mësuesit. Nxënësit e gjuhëve të huaja të cilët janë zhvendosur në shkollën Jeronim De Rada thanë për gazetën se për ta është një shqetësim i madh zhvillimi i mësimit në orët e pasdites pasi largësia nga konivikti i kësaj shkolle është i konsiderueshëm, dhe në shumë raste ka pasur edhe disa incidente gjatë kthimit në godinën e konviktit. Por më të shqetësuarit për këto vonesa duken se janë vetë prindërit e këtyre nxënësve e kryesisht të vajzave të cilët ditën e djeshme kanë qëndruar me orë të tëra për të takuar drejtuesit e shkollës e për tu ankuar. Sipas prindërve të nxënësve është një shqetësim i madh fakti që fëmijët e tyre duhet të kryejnë mësim kaq larg nga konvikti pasi edhe vendndodhja e shkollës Jeronim De Rada është edhe në një pozicion jo të përshtatshëm, pasi godina e shkollës është e futur midis disa pallatesh e ky fakt përbën problem për kthimin në orët e vona sidomos të vajzave. Ndërsa në shkollën e Mesme Petro Nini Luarasi ku mësimi zhvillohet me turne e në shumë raste edhe me orë të përgjysmuara shqetësimi më i madh është mbarëvajtja e mësimit pasi në shumë raste nga zhurmat e punimeve apo nga mbipopullimi i nxënësve në klasë e nga zhurmat e krijuara nga ta. Sipas një prej mësuesve të kësaj shkolle është nuk është normal fakti që rikonstruksionet të kryhen në mes të vitit pasi kjo përbën në njëfarë mënyrë një shkelje administrative në rastin konkret pasi bëhet pengesë e mbarëvajtjes së mësimit. Në këtë kontekst punimet me orë të tëra gjatë paradites pa kriter në shumë raste janë bërë edhe shkak i ndonjë incidenti, por që për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar. Burime zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Arsimore të Tiranës bëjnë të ditur se një vit më parë, nxënësit në 12 shkollat e Tiranës nuk e kanë nisur mësimin në shkollat e tyre, por në shkolla të tjera dhe me dy e tre turne.
Rikonstruksioni
Duke parë kushtet infrastrukturore të institucioneve të dijes vetëm dy vjet më parë janë futur në rikonstruksion shkollat " Naim Frashëri", "28 Nëntori", "Lidhja e Prizrenit", "Bajram Curri", "Ramazan Jarani", " Hasan Prishtina", "Androkli Kostallari", "Abdulla Keta", "Skënder Çaçi ", " Misto Mame", " Musine Kokalari" dhe "Myslym Keta". Disa prej tyre kishin nevojë për shtesa mjedisesh, disa të tjera për përmirësimin e kushteve dhe të bazës materiale. Fillimi i punimeve për rindërtimin e këtyre shkollave ishte pothuajse në të njëjtën kohë. Ndërsa, nxënësit e 9 shkollave të tjera, që u përfshin nga rikonstruksioni i menjëhershëm, vazhdojnë të mësojnë pasdite, në shkollat e afërta të zonës. Ashtu si edhe dy vjet më parë gjatë gjithë muajve, kur shkollat ishin në rikonstruksion nxënësit e shkollave bashkë me mësuesit e tyre janë të detyruar të zhvillojnë një proces mësimor të ngjeshur në orar dhe program për shkak të mungesës së energjisë, por edhe mbingarkesës në klasë. Orët e mësimit në këto shkolla janë zhvilluar përgjithësisht të reduktuara, duke marrë parasysh pasditen në periudhë dimri si dhe largësinë e banesave të nxënësve të "transferuar" aty.
Të dhëna
14 është numri i gjimnazeve në Tiranë
57 është numri i shkollave 9-vjeçare në Kryeqytet
17542 është numri i nxënësve në shkollat e mesme të përgjithshme të Tiranës
6374 nxënës nuk kanë mundur të kalojnë klasën në shkollat e mesme të përgjithshme
5226 është numri i nxënësve të shkollave të mesme profesionale në Tiranë
2034 nxënës të shkollave të mesme profesionale kanë mbetur në klasë
46882 është numri total i nxënësve në shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit
Arta AGOLLI