Kriza ekonomike kthen mijëra emigrantë në Shqipëri
Sipas studimit të Qendrës së Studimeve Sociale, 12 % e emigrantëve shprehen se do të kthehen në Shqipëri. Bien dërgesat e emigrantëve, rritet varfëria
Kriza ekonomike pritet të kthejë mijëra emigrantë në vendin tonë. Ndërsa dërgesat e tyre kanë rënë shumë, duke sjellë thellimin e varfërisë në vendin tonë. Kjo u bë e ditur dje në aktivitetin "Menaxhimi i Migracionit shqiptar: Vështrim mbi arritjet dhe politikat", organizuar nga Zyra e Misionit të IOM në Tiranë dhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale.
Kthimi
Tashmë, shumë emigrantë kanë filluar të kthehen në Shqipëri dhe mijëra të tjerë pritet të lënë vendet ku kanë emigruar dhe të vijnë sërish në Shqipëri. Shkak për këtë është kriza ekonomike dhe pamundësia për të gjetur vend punë në vendet ku kanë emigruar. Nga një studim i bërë nga Qendra e Studimeve Ekonomike Sociale parashikohet që një numër i konsiderueshëm emigrantësh të mbeten pa punë.
Më të rrezikuarit janë shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali e sidomos emigrantët e Greqisë për shkak të krizës së fortë që ka mbërthyer këtë vend. "Kthimi i shqiptarëve në atdhe ka filluar të ndihet që një vit më parë. Por, problemi është se sa mundësi do të kenë emigrantet për tu punësuar në atdheun e tyre.
Nga anketimet e bëra në emigrantët e kthyer, tregohet se ata janë zhgënjyer duke parë si zgjidhje sërish emigracionin", pohon Edmond Dragoti, pjesëmarrës në studimin për emigrantët, duke shtuar se 12 % e emigrantëve që morën pjesë në studim shprehen se mund të kthehen në Shqipëri. Ata kërkojnë ose të hapin një biznes ose të gjejnë një vend pune.
Remitancat
Emigrantët po dërgojnë gjithnjë e më pak para tek familjet e tyre dhe kjo po e dëmton shumë ekonominë e vendit tonë. Për shkak të krizës ekonomike, emigrantët po kursejnë parat e tyre për vete dhe po ulin dërgesat drejt Shqipërisë.
Sipas studimit të Qendrës së Studimeve Ekonomike kursimet e emigrantëve shqiptarë janë 5.2 herë më të larta se paratë që ata dërgojnë në Shqipëri.
Studimet tregojnë se shqiptarët kursejnë të paktën 2 herë më tepër se emigrantët moldavë dhe boshnjakë që punojnë në perëndim dhe këto para nëse do të thitheshin nga qeveria shqiptare do të kishim rritje të remitancave në vend.
"Kriza mund të zgjasë edhe një ose e shumta dy vjet dhe atëherë duhet të shohim çfarë duhet të bëjmë me këto remitanca. Duke u bazuar në një hipotezë, që emigracioni shqiptar është rreth 1.2 milionë, në vendet kryesore pritëse, dhe duke marrë një numër prej rreth 404 mijë familjesh në emigrim, rezulton që këto kursime gjatë vitit 2008 kanë qenë rreth 3.5 miliardë euro, pra është një shumë jashtëzakonisht e lartë", - pohon Ilir Gedeshi, drejtor i Qendrës së Studimeve Ekonomikë Sociale, duke shtuar se kjo shifër është thuajse 5 herë më shumë sç janë dërgesat e remitancave në vendlindje.
Sipas tij, sikur nëpërmjet sistemit bankar, ose nëpërmjet një bashkëpunimi të sektorit publik dhe privat, një pjesë do të investoheshin apo do të futeshin në vendlindje, atëherë do të kishim një ndryshim cilësor rreth përbërjes së remitancave. Ndërkohë, u bë e ditur se rritja e dërgesave monetare nga emigrantët është shumë e rëndësishme për një vend si Shqipëria, ku remitancat zënë 9 deri 22 për qind të GDP-së.
"Studimet në vite kanë treguar se një familje e varfër nga një jo e varfër dallon nga fakti nëse merr ose jo remitanca. Ulja e tyre pas 2007, ku në Shqipëri janë futur 1/3 miliardë dollarë, ka ndikuar në rritjen e varfërisë.