E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkololli anëtar jurie në Sarajevë

Artisti kosovar Erzen Shkololli do të jetë anëtarë jurie në kategorinë e filmit të shkurtë në edicionin e shtatëmbëdhjetë të Festivalit të Filmit të Sarajevës. Në këtë festival në konkurrencë zyrtare për filmin më të mirë do të jetë edhe filmi shqiptar ‘Amnistia’ i regjisorit Bujar Alimani. Nga Alfred Beka më 15 korrik 2011 në ora 15:00

Artisti i njohur kosovar Erzen Shkololli është zgjedhur anëtar jurie në Festivalin e Filmit të Sarajevës. Juria, në të cilën bën pjesë Shkololli, do të përzgjedhë fituesit e filmave që garojnë në kategorinë e filmit të shkurtë në edicionin e shtatëmbëdhjetë të Festivalit të Filmit të Sarajevës, i cili do të mbahet në këtë vend prej datës 22 deri më 30 korrik.

Në websajtin e festivalit, në të cilin është publikuar lajmi për jurinë e festivalit, për Shkolollin shkruan se nëpërmjet veprës së tij, ai përpiqet të rivë në skenë ceremonitë tradicionale dhe të shfrytëzojë ritualet dhe folklorin vendor për të tërhequr vëmendjen ndaj situatave socio-politike, derisa i lë të kuptohen iluzionet dhe simbolet bashkëkohore.

“Shkololli është gjithashtu i njohur si një ndërmjetësues aktiv dhe organizator i dialogut ndërkulturor ndërmjet Kosovës dhe botës artistike ndërkombëtare, sikurse edhe brenda vetë Kosovës. Që nga viti 2003 ai ka qenë anëtar i Parlamentit Kulturor Europian. Vepra e Shkolollit është paraqitur në ekspozita nëpër muze të rëndësishëm europianë sikurse janë muzeu Stedelijk në Amsterdam, qendra Pompidou në Paris, Tate Modern në Londër dhe MUMOK në Vjenë. Ai është shpërblyer me një bursë të dhënë nga DAAD në Berlin në vitin 2008/2009 si dhe me çmimin Premio Michetti, të cilin ia ka dhënë Fondacioni Michetti di Francavilla al Mare në 2001”, thuhet në informatat biografike të dhëna në websajtin e festivalit.

Aty po ashtu shkruan se Shkolollli është autorizuar të krijojë vepra të reja për Folkestone Triennial 2011, të kuruar nga Andrea Schliekerone, si pjesë e projekteve më ambicioze të artit publik që janë prezantuar ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar.
Përpos Shkolollit, anëtarët tjerë të jurisë për këtë kategori janë edhe Jean-Christophe Berjon, drejtor artistik i ‘Semaine de la Critique’ në Francë si dhe regjisori maqedonas Milcho Manchevski, i cili është kryetar i jurisë. Manchevski është ndër regjisorët më të njohur të Maqedonisë, i cili ka shkruar dhe xhiruar filma të ndryshëm, në mesin e të cilëve janë ‘Before the Rain’ (1994), ‘Dust’ (2001), ‘Shadows’ (2007) dhe ‘Mothers’ (2011). Filmi ‘Before the Rain’ ka qenë i nominuar për Oscar, ndërsa ka fituar rreth tridhjetë shpërblime, përfshirë Luanin e Artë për filmin më të mirë në Venedik si dhe çmimin për filmin më të mirë të vitit në vende të ndryshme si Argjentinë, Itali, Suedi, Turqi etj. Gazeta The New York Times e ka përfshirë këtë film në mesin e një mijë filmave më të mirë që janë bërë ndonjëherë.

Festivali i Filmit i Sarajevës është njëri prej festivaleve më të rëndësishme të filmit, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Për çdo vit vizitohet nga rreth 100 mijë njerëz.

Në këtë festival në konkurrencë zyrtare do të jetë edhe filmi shqiptar ‘Amnistia’ i regjisorit Bujar Alimani, ndërsa jashtë konkurrence do të shfaqet edhe filmi ‘Falja e gjakut’ i regjisorit amerikan Joshua Marston, me skenar të Andamion Muratajt, në të cilin luajnë edhe aktorët kosovarë Çun Lajqi dhe Ilire Vinca-Çelaj.

Çmimi kryesor, i cili jepet në këtë festival, ‘Zemra e Sarajevës për filmin më të mirë’, ka vlerën 25 mijë euro. Po ashtu, në këtë festival jepen edhe mbi njëzetë shpërblime të tjera.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›