E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkon për të lindur, vdes së bashku më fëmijën

Lorena Imeri në muajin e nëntë, nisin hetimet. Familjarët akuzojnë mjekët
lezhe-urgjencaLezhë- Vdes në sallën e operacionit në rrethana misterioze shtatzëna 22-vjeçare që priste të bëhej nënë. Lorena Imeri dhe foshnja e saj e pa lindur e seksit mashkull humbën jetën në mesnatën e së hënës, vetëm pak minuta sapo hyri në sallën e operacionit, dhe 3 orë pas mbërritjes në maternitet. Familjarët e 22-vjeçares, akuzuan drejtpërdrejt bluzat e bardha për neglizhencë dhe fajtorë për jetën e të afërmes dhe foshnjës. Ata pretenduan se vajzës së tyre nuk iu është dhënë ndihma e duhur mjekësore në kohë dhe kërkuan hetime të drejtësisë ndaj mjekëve. Policia dhe Prokuroria konfirmuan se pas denoncimit kanë nisur hetimet për stafin që ishte në detyrë, duke i marrë në pyetje dhe bllokuar të gjitha dokumentet shkresore dhe kartelën mjekësore. Shefi i Maternitetit Lezhë, Llesh Marku, tha për mediat ditën e djeshme se 22-vjeçares i është dhënë e gjithë ndihma e nevojshme, por një komplikacion kardiak në momentin e nisjes së anestezisë, ka shkaktuar edhe vdekjen e saj. Por familjarët nuk i zënë besë këtij versioni, duke kërkuar autopsinë në Mjekësinë Ligjore dhe zbulimin e shkakut të vërtetë. Viktima është nga fshati Shullaz i Kurbinit. Vëllai i Lorenës shpjegoi se e motra ishte dërguar nga bashkëshorti dhe vjehrrit e saj në maternitet rreth orës 22:00 të së hënës. Kërkuan ndihmën e mjekëve, por nuk ishte askush. Kanë pritur një orë e gjysmë. Pasi u fut në operacion, nuk zgjati as dy minuta dhe mjeki tha se mbaroi. Nuk e kuptuam se si ndodhi kjo dhe nuk dhanë shpjegime. Ata e lanë pa mjekim gati dy orë, pasi Lorena ishte mirë, tha Klodian Cakoni, vëllai i viktimës. Familjarët mbajtën dje në mesditë edhe një protestë para morgut, pasi kërkonin autopsi para se të merrnin trupin për ceremoni mortore. Situata ka qenë e tensionuar deri në ndërhyrjen e policisë për ti qetësuar. Pasdite trupi u tërhoq për në fshatin Shullaz, ndërkohë që familjarët depozituan edhe denoncimin në prokurori për mjekim të pakujdesshëm dhe neglizhencë. Xhaxhai i vajzës tregoi se mjekët u kishin thënë se vajza ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shpëtimi i saj ishte i pamundur. Por ata këmbëngulën se Lorena u dërgua në gjendje të mirë në Maternitet dhe gjatë shtatzanisë nuk ka pasur komplikacione. Të afërmit deklaruan se duan shpjegime për rrethanat dhe shkaqet. Ndërkohë, drejtori i maternitetit të Lezhës, Llesh Marku, bëri të ditur se pacientja ishte paraqitur në spital me probleme kardiake, të cilat duket se nuk ishin zbuluar më parë, pasi 22-vjeçarja nuk kishte me vete një kartelë vizitash.

Përplasje mjekë-familjarë,
priten rezultatet e ekspertizës
Policia e Lezhës konfirmoi dje nisjen e hetimeve për vdekjen në maternitet të pacientes Lorena Imeri dhe foshnjës së saj 9-muajshe që po përgatitej të lindte me operacion. Po kështu në hetime u bashkëngjit dhe prokuroria. Janë mbledhur dëshmitë e familjarëve të viktimës, mjekëve të turnit, kartelat dhe regjistrimi i kryer. Policia tha se ka përplasje mes deklaratave të të afërmve të viktimës dhe drejtuesve të maternitetit. Familja pretendon se 22-vjeçarja u dërgua mirë në maternitet për të lindur në orën 22:00 dhe ka pritur deri në mesnatë për ndërhyrje, pasi nuk kishte mjekë. Më tej është futur për operacion dhe doli e vdekur. Kurse mjekët thonë se Imeri ka pasur probleme kardiake dhe nuk kishte kartelë me vete për shqetësimet shëndetësore, ndaj edhe nuk e dinin se anestezia do ndikonte fatalist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›