E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 4 pasagjerëve, pranga 3 shoferëve

Librazhd- Tre shoferët e maksidenti-2jeteve të përfshira në aksidentin tragjik të Xibrakës me pasojë 4 të vdekur dhe 3 të plagosur, u arrestuan mëngjesin e djeshëm nga policia e Elbasanit si shkaktarë të këtij bilanci. Një prej tyre, Eduart Haskurti, 40 vjeç, nga Librazhdi, drejtues i furgonit me pasagjerë, gjendet në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë, nën arrest spitalor. Dy të tjerët, Edvin Çuçuli, 29 vjeç, nga Elbasani që drejtonte veturën dhe Renato Torollari, 31 vjeç, nga Korça, që drejtonte trajlerin me mermer, mbahen në dhomat e paraburgimit të policisë, me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen. Burime zyrtare të policisë vendore thanë se grupi hetimor konstatoi se aksidenti ka ndodhur në aksin Elbasan-Librazhd, në zonën e Labinot-Fushës, ku u përfshinë tre mjete. Sipas dinamikës së ngjarjes u zbulua se vetura tip BMW, me targë AA971EA, me drejtues Çuçulin, e cila udhëtonte drejt Librazhdit, ka hyrë në parakalim të mjetit të rëndë Daf kamion me targa KO7579B të drejtuar nga Torollari. Por në shpejtësi të madhe i ka prerë rrugën furgonit Ford me targë LB001A, me drejtues Haskurtin, që transportonte pasagjerë nga Librazhdi për në Elbasan. Por shmangia ka sjellë edhe përplasjen fatale të furgonit me kamionin dhe me veturën. Kamioni ka marrë zvarrë për disa metra mjetin me 6 pasagjerë brenda. Si pasojë e kësaj përplasje humbën jetën në vend bashkëshortët Fetah dhe Ryfete Çela, 50 dhe 48 vjeçe, banues në lagjen Emin Matraxhiu Elbasan, të sapokthyer nga Greqia. Dhe Nasibe Shehu, 49 vjeçe, banuese në fshatin Katund i Ri, si dhe nëna e saj Salushe Kullafi, 69 vjeçe, banuese po në Katund i Ri. Nënë e bijë gjendeshin në vendin e parë të pasagjerit në furgon dhe bashkëshortët në vendet e pasme, në krahun e derës, ku dhe ka goditur kamioni. Pasagjerët udhëtonin të gjithë drejt Elbasanit dhe dy prej tyre u lënduan lehtë. Më rëndë ishte shoferi Haskurti, që u nis në Tiranë për mjekim të specializuar, kurse dy drejtuesit e tjerë u shoqëruan dhe dje u komunikua arrestimi dhe dosja penale i kaloi Prokurorisë së Rrethit Elbasan për veprime të mëtejshme.

 
Viktimat e aksidentit:
Fetah Çela, 50 vjeç, banues në Elbasan
Ryfete Çela, 48 vjeçe, bashkëshortja
Nasibe Shehu, 49 vjeçe, Katund i Ri
Salushe Kullafi, 69 vjeçe, nëna, Katund i Ri
Të arrestuarit për aksidentin:
Edvin Çuçuli, 29 vjeç, shofer i veturës
Renato Torollari, 31 vjeç, shofer i trajnerit
Eduart Haskurti, 40 vjeç, drejtues i furgonit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›