E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi kundër dyshtetësisë për serbët e Kosovës

PRISHTINE-Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi refuzon të pranojë të drejtën e dyshtetësisë, shkruan sot gazeta 'Blic' e Beogradit.

Sipas shkrimit të kësaj gazete, Thaçi insiston që në Kosovë së pari të merret shtetësia e saj e më pas të shikohet mundësia e shtetësisë tjetër, pra të asaj serbe.

Edhe pse bisedimet në Bruksel po përparojnë, kanë mbetur të zgjidhen disa qëndrime thelbësore rreth të cilave grupet e punës po mblidhen prej disa javësh. “Blic” thekson se pala e Kosovës insiston që Liqeni i Gazivodës dhe trafo e Valaçit të integrohen në sistemin e Kosovës.

Gazivoda është e domosdoshme për Kosovën për punën e termocentralit në Obiliqi dhe Prishtina nuk do kurrsesi që ai të varet nga serbët e veriut. Por Beogradi për serbët e veriut kërkon një rrymë.

Edhe kur bëhet fjalë për telekomunikacionin, nuk është arritur ndonjë pajtim pasi problem nuk është vetëm kërkesa e Kosovës që të ketë numrin thirrës të vetin, por ekziston edhe problemi ekonomik, sepse Kosova nuk lejon që pos dy kompanive që kanë licenca, edhe hyrjen e Telekomit në treg.

Beogradi pret që Kuvendi i Kosovës ta miratojë Ligjin për amnisti dhe, siç shkruan “Blic”, lyp implementim të njëjtë të Marrëveshjes edhe nga Prishtina.

(d.b/Koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›