Shëndetësia, gjyqësori dhe partitë politike janë sektorët më të korruptuar
Raporti i TIA: Korrupsioni i lartë, 49 % e shqiptarëve kanë frikë të denoncojnë
Shëndetësia qëndron në krye të listës si sektori më i korruptuar në Shqipëri, i ndjekur më pas nga gjyqësori, partitë politike dhe arsimi. Ky është rezultati i një raporti të publikuar dje nga TIA për matjen e nivelit të korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në vende të tjera të botës. Studimi që i përket vitit 2013 ka marrë në pyetje 114,000 njerëz në 107 vende të botës dhe tregon se korrupsioni është i përhapur kudo. Sa i përket Shqipërisë TIA thotë se ka pasur një rritje në luftën kundër korrupsionit, megjithatë 83 % e të anketuarve mendojnë se korrupsioni në Shqipëri është i lartë.
Raporti i TIA-s
Sistemi i drejtësisë dhe ai i shëndetësisë kanë marrë një notë vlerësimi 4.3, ku vlerësimi varion nga 1-5. Vlerësimi me notën 1 do të thotë se korrupsioni thuajse nuk ekziston ndërsa vlerësimi me 5 do të thotë një vend jashtëzakonisht i korruptuar. “Në një shkallë nga një në pesë, ku një përkthehet në rezultatin aspak të korruptuar dhe 5 shumë të korruptuar. Institucionet më të korruptuara në Shqipëri perceptohen të jenë gjyqësori dhe sistemi shëndetësor në një nivel prej 4.3 pikësh, të ndjekur nga partitë politike, sistemi arsimor, parlamenti, policia, etj. Në Shqipëri 58% e të anketuarve mendojnë se veprimet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit kanë qenë joefektive në dy vitet e fundit. 30% e tyre shprehen që këto veprime nuk kanë qenë as efektive dhe as joefektive dhe vetëm 12% mendojnë se kanë qenë veprime efektive,” Ines Hila, koordinatore e TIA-s, ndërsa shton se 75 % e shqiptarëve mendojnë se njerëzit e thjeshtë mund të kontribuojnë në reduktimin e këtij fenomeni.
Frikë nga denoncimi
Në përqindje të lartë qëndron edhe frika ose pasiguria e qytetarëve për të raportuar dhe denoncuar një akt korruptim, për të cilin ata janë në dijeni apo dëshmitarë. Janë 49% e qytetarëve shqiptarë të cilët thonë se nuk do ta raportonin një rast korrupsioni. Kjo tregon se uniformat blu akoma nuk e kanë fituar besimin e qytetarëve shqiptarë.
Partitë politike
Perceptimi i qytetarëve për nivelin e lartë të korrupsionit është edhe për partitë politike ku 42 % e të anketuarve thonë se vitet e fundit korrupsioni është rritur. Ndërsa si institucione apo organizmat më pak të korruptuar janë vlerësuar autoritet fetare, shoqëria civile dhe media. Për median qytetarët janë shprehur se mund ta denoncojnë më lehtë një rast se sa në një institucion. Për Shqipërinë ky raport i referohet anketimeve ballë për ballë me qytetarët për një kampion prej 999 persona në rreth 12 qarqet e vendit. Prej këtyre të anketuarve 66% mendojnë se korrupsioni është rritur dukshëm në këto 2 vitet e fundit. Ky nivel perceptimi, i njëjtë dhe për Kosovën, në një sondazh të kryer nga Transparency International në të gjithë botën, rendit dy shtetet shqiptare në fund të klasifikimit për luftën ndaj këtij fenomeni, në Ballkanin Perëndimor.
4.3
pikë është vlerësuar niveli i korrupsionit në Shqipëri nga 5 pikë që është maksimalja. Kryesisht sektori i shëndetësisë; gjyqësori, politika dhe arsimi, janë vlerësuar më negativisht
49 %
e shqiptarëve kanë frikë të denoncojnë raste të korrupsionit me të cilat janë përballur edhe vetë në jetën e atyre. Ata nuk kanë besim te policia dhe institucionet e tjera, duke besuar më shumë te media
66 %
mendojnë se korrupsioni është rritur dukshëm në këto 2 vitet e fundit. Ky nivel perceptimi, është i njëjtë si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën