E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkon që të marrë fëmijët te ish-gruaja me thikë dhe granatë



ELBASAN - Dramë në një familje në Elbasan. Indrit Meta, 30 vjeç, është armatosur me thikë dhe granatë dhe ka shkuar mëngjesin e djeshëm në banesën e ish-gruas së tij, duke dashur të marrë me dhunë fëmijët. Pikërisht për këtë gjë ka lindur dhe konflikti mes dy ish-bashkëshortëve dhe më pas ka plasur lufta. Siç ka bërë të ditur Policia e Elbasanit, 30-vjeçari Meta është vënë në pranga pasi ka tentuar të vrasë ish-bashkëshorten e tij, por aksidentalisht ka plagosur një kalimtare të rastit gjatë shpërthimit të granatës.

Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjyrale, kur mëngjesin e djeshëm Meta ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes së tij, shtetases Luljeta Musta, 29 vjeçe, banuese në fshatin Gjyralë, me qëllim për të takuar fëmijët e tij. Pas një konflikti të çastit që kanë pasur të dy ish-bashkëshortët, shtetasi Indrit Meta fillimisht ka tentuar të vrasë ish-bashkëshorten e tij me një mjet të mprehtë të llojit thikë. Duke mos përfunduar misionin e tij, ka shkuar tek mjeti i tij, të cilin e kishte të parkuar në afërsi të banesës së ish-bashkëshortes, nga ku ka marrë prej andej një granatë dhe e ka hedhur në banesën e ish-bashkëshortes së tij me qëllim për ta vrarë. Si pasojë e këtij veprimi ka mbetur e dëmtuar një kalimtare në rrugë, qytetarja S. M., 50 vjeçe, e cila u dërgua menjëherë në Spitalin Kirurgjik Elbasan, për të marrë ndihmën e nevojshme.
Arrestimi
Efektivët e Policisë së Elbasanit bënë të mundur kapjen e autorit të ngjarjes. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua edhe një mjet i mprehtë i llojit thikë. Indrit Meta akuzohet për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë".
Gjatë vitit të kaluar është rritur në mënyrë drastike krimi në familje. Një gjë e tillë ka alarmuar strukturat e policisë. Në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, kryeministri Berisha kërkoi që të merren masa ndëshkuese për ata që vrasin brenda në familje.

Vrasja e Rajmonda Zefit, protesta në Itali

VIAREXHIO – Vrasja e shqiptares Rajmonda Zefi nga bashkëshorti i saj italian ka ngritur gra dhe burra në protestë, ku u denoncua sjellja e dhunshme në familje dhe veçanërisht kundër asaj që ata e quajtën “dhuna mashkullore mbi gratë”. Për Vanesën, Rajmondën dhe Loretën... kjo ka qenë motoja e protestës së mbajtur dje në Viareggio, lokalitetin ku natën e Vitit të Ri, Francesco Quinci vrau gruan e tij shqiptare Rajmonda Zefi, trupin e së cilës e hodhi më pas në pyll duke mashtruar policinë për zhdukjen e saj.
Protesta u dedikohej edhe dy grave të tjera të rëna viktima të dhunës së bashkëshortëve.
Dy organizata kanë shpërndarë fletëpalosje për të rinjtë dhe gjithë banorët tjerë. “Ne duhet të edukojnë njeriun në një marrëdhënie të mirë, të shëndetshme dhe pozitive me gruan”, - thanë organizatorët. Sipas tyre, gjatë vitit 2010, rreth 120 gra kanë rënë viktima të dhunës së bashkëshortëve.

Operacioni, 5 të prangosur për drogë dhe armë

KORÇË – Një operacion në nivel qarku ka sjellë prangosjen e 5 shtetasve për drogë dhe posedim armësh pa leje. Burimet zyrtare të Policisë së Korçës bënë të ditur se efektivat e disa komisariateve, në kuadër të plan-operacionit për dokumentimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve që ushtrojnë aktivitete kriminale prangosen J. P., 17 vjeç, banues në fshatin Buçimas të Pogradecit, Dorian Hysenllarin, 20 vjeç, banues në fshatin Rrëmenj, Vladimir Agollin, 50 vjeç, banues në fshatin Pirg të Korçës, Brian Syzo, 20 vjeç, banues në Lagjen Nr. 1 në Pogradec dhe Idajet Palla, 45 vjeç, banues në fshatin Memlisht të Pogradecit. Këtij të fundit iu gjetën në lokalin “Al Xhulio” në pronësi të tij 51 kapsollë detonatore si dhe një sasi prej 120 metrash fitil zjarrpërcjellës. Dy shtetasit e parë u ndaluan për posedim lënde narkotike, ndërsa i treti për aksident.

I mituri kapet me 2.5 kg tritol dhe lëndë eksplozive

SHKODËR – Një i mitur përfundon në pranga pasi në banesën e tij u gjetën 2.5 kilogramë lëndë plasëse dhe një sasi municionesh. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se i prangosuri është David P., i ndaluar dy ditë më parë në kuadër të operacionit për vjedhjen e biçikletave në qarkun e Shkodrës.

“Gjatë kontrollit të ushtruar pikërisht në afërsi të banesës së shtetasit David P., banues në fshatin Hot i Ri në rrethin e Shkodrës, u gjetën 2.5 kg tritol, 160 copë fishekë si dhe 6 metra fitil zjarrpërcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, - thotë zëdhënësja e Policisë së Qarkut, Fatbardha Çelepia. Sipas saj, u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të shtetasit David P., iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shpejtësia i merr jetën djalit në motor, plagoset shoku

KAVAJË- Aksident me vdekje në Malin e Robit në Kavajë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur janë aksidentuar pasditen e së shtunës dy të rinj, të cilët udhëtonin me motoçikletë, ku njëri prej tyre ka humbur jetën. Sipas policisë shkak ka qenë shpejtësia e motoçikletës, e cila ka shkaktuar dhe përplasjen e saj me një pjesë muri rrethues. Për pasojë njëri prej të rinjve ka humbur jetën, ndërsa shoku i tij është plagosur rëndë. Ende nuk dihet identiteti i viktimës dhe i të plagosurit i cili aktualisht ndodhet në Spitalin rajonal të Durrësit. Aksidenti ka shkaktuar dhe rëndim të trafikut në rrugë për disa minuta.

17 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›