Vetëvar veten 12-vjeçarja, prindërit e kritikuan për notat
TEPELENË – Askush, përfshirë edhe prindërit, nuk e kanë kuptuar brishtësinë dhe egon e 12-vjeçares E. Sh., e cila, mbrëmjen e së shtunës është zhdukur përgjithmonë. Ambicia jonormale, e parealizuar për të pasur nota të larta në mësime, e ka çuar drejt aktit fatal. Pa e kuptuar as vetë se sa e rëndësishme është jeta, për shkak të moshës së mitur, nxënësja e klasës së gjashtë në shkollën “Xhevit Çela”, në fshatin Izvor të Tepelenës, ka vendosur t’i japë fund jetës. Para se të merrte këtë akt, ajo është kritikuar nga prindërit për rezultate të dobëta në mbyllje të semestrit të parë. Dje, rreth orës 17:30, ajo është gjetur e pajetë në kasollen e bagëtive, që ndodhej ngjitur shtëpisë ku banonte. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se nga verifikimet e kryera nuk u gjetën shenja dhune dhe se flitet për një vetëvrasje nga ana e 12-vjeçares. “Shkaku paraprak i vetëvarjes është ngarkesa psikologjike për shkak të rezultateve jo të mira të arritura në mësime gjatë semestrit të parë shkollor”, - thotë zëdhënësi i Policisë, Gentian Mullai.
Ngjarja
Pasditen e së shtunës, E. Sh. është ulur për të mësuar, por e ka ndjerë veten të pafuqishme. Pak orë më parë, rreth mesditës, ajo ka debatuar me prindërit e saj për rezultatet në mësime. Vajza ishte nxënëse në klasën e gjashtë të shkollës së fshatit Izvor. I ati dhe e ëma ishin të pakënaqur me notat që kishte marrë. Burimet për gazetën pohojnë se pas kritikave, vajza me sedër ka nisur të qajë. “Ne për ty punojmë”, - i kanë thënë prindërit dhe me këto fjalë ajo është mbyllur në dhomën e gjumit, për t‘u zhdukur pak minuta më pas përgjithmonë. Në kohën që çifti ka dalë nga shtëpia, e mitura, në gjendje të rëndë psikologjike, ka vendosur të kryejë aktin fatal. 12-vjeçarja ka shkuar pas shtëpisë, në kasollen e bagëtive, dhe me zinxhir i ka dhënë fund jetës. Sapo prindërit janë kthyer në shtëpi dhe nuk e kanë gjetur vajzën e tyre brenda, kanë kërkuar gjithandej. Krejt rastësisht e ëma ka parë trupin e pajetë të fëmijës në kasollen e bagëtive.
Hetimet
Në orën 17:40, një telefonatë ka mbërritur në Komisariatin e Policisë së Tepelenës për një ngjarje të rëndë. Menjëherë drejt fshatit Izvor, në komunën Luftinjë, është nisur grupi i gatshëm dhe kur kanë shkuar në vendin ku kishte ndodhur ngjarja është gjetur fëmija e varur në kasollen e bagëtive. Zëdhënësi i Policisë së qarkut të Gjirokastrës bëri të ditur se “grupi hetimor, pas këqyrjes që i bëri trupit të viktimës, konstatoi se nuk kishte asnjë shenjë dhune a dëmtim tjetër”. Sipas tij, të dhënat e ekspertizës dhe nga deklarimet e marra prej familjarëve të viktimës, por edhe nga veprimet hetimore të kryera, shkaku paraprak i vetëvarjes është ngarkesa psikologjike për shkak të rezultateve jo të mira të arritura në mësime gjatë semestrit të parë shkollor. “Familjarët e vajzës kanë deklaruar se nuk kanë asnjë pretendim dhe asnjë dyshim për shkakun e humbjes së jetës të vajzës së tyre”, - thotë zëdhënësi Gentian Mullai. Familja ku ndodhi ngjarja e rëndë jetonte në kushte jo të mira financiare. Akoma më shumë, asnjëri prej tyre nuk ka pasur mundësi që të kuptojë natyrën e fëmijës, e cila pasditen e së shtunës u ka shkaktuar plagën më të rëndë prindërve që nuk kanë kuptuar peshën e fjalëve të tyre te psikologjia e vajzës. Mullai ka bërë të ditur se grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Burimet policore sqarojnë se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Viti 2010, rekord vetëvrasjesh
Viti i kaluar shënoi një rekord vetëvrasjesh. Rastet më të shumta u regjistruan në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Lezhë dhe Durrës. Në jo pak akte vetëflijuese, protagonistë kanë qenë edhe të mitur. Nga të dhënat, janë mbi 90 vetëflijime gjatë vitit 2010, duke shënuar ndoshta nivelin më të lartë në rajon përsa u përket akteve vetëvrasëse. Duke iu referuar shkaqeve, në shumicën e rasteve krimi është i shtyrë për motive ekonomike. Gjendja e rëndë ekonomike dhe pamundësia për të gjetur një punë shtyn të rritur për t’i dhënë fund jetës. Borxhet ndaj të tjerëve kanë shkaktuar disa raste aktesh vetëvrasëse. Po ashtu, në jo pak ngjarje të ndodhura, nxitje shërbejnë edhe gjendjet depresive për shkak të moskujdesit ndaj shëndetit mendor. Një tjetër motiv janë edhe problemet e integrimit dhe përshtatjes me mjedisin social. Divorcet apo tradhtitë në çift janë bërë shkas për akte të tilla fatale. Me të tilla motive janë kryesisht moshat e reja. Ky bilanc i zi i vitit 2010 shënoi edhe rritje të ndjeshme të akteve vetëvrasëse në radhët e moshave të mitura.
Dhunon studenten në konviktin, ndalohet 42-vjeçari
KORÇË – Mosmarrëveshjet me një studente e kanë çuar 42-vjeçarin që të hyjë në dhomën e saj në konvikt dhe ta keqtrajtojë, por më pas ka përfunduar në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Korçës bëjnë të ditur se dy ditë më parë nisi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit Jetnor Kollçinaku, banues në fshatin Vreshtas të rrethit të Korçës. Sipas tyre, Kollçinaku ka hyrë me forcë në dhomën e konviktit të vajzave që ndodhet në Lagjen Nr. 17 të qytetit juglindor, ku ndodhej shtetasja N. M., 20 vjeçe, banuese në fshatin Popçisht, studente në Shkollën e Gjuhëve të Huaja në Korçë dhe për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Zëdhënësja e Policisë thotë se 20-vjeçarja ka bërë denoncimin dhe menjëherë nisën hetimet. Burimet policore sqarojnë se ndaj Kollcinakut pritet të nisë hetimi për veprat penale të “dhunimit të banesës” dhe “dëmtime të tjera me dashje”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Korçë për hetime të mëtejshme, thonë burimet policore, sipas të cilave, hetimi pritet të bëhet në gjendje të lirë.
Ulza dhe Breno, marrëveshje binjakëzimi
MAT - Ka mbërritur këto ditë në Ulëz të Matit një delegacion nga Breno i Italisë, i cili kryesohet nga kryetari i kësaj komune, Sandro Farisolio. Në vizitën e tij të parë në Ulzë, Farisolio theksoi se kjo qytezë është ndër më të bukurat, duke vlerësuar peizazhin mahnitës së bashku me ndryshimet e bëra në qendrën e Ulzës. Delegacioni italian u prit nga ai shqiptar me përfaqësues kryetarin e komunës së Ulzës, Pal Coku, i cili nënvizoi faktin se është drejt kurorëzimit me sukses procesi tashmë i nisur për binjakëzimin e dy komunave. Coku theksoi se Ulëza është shpallur komunë turistike dhe krahas investimeve të bëra, po zbatohen një sërë projektesh për ti ndryshuar pamjen kësaj qyteze, por edhe fshatrave përreth.
17 Janar 2011