E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e karburanteve nuk dinë të ndalen, benzina ngjitet në 160 lekë litri



Ervin KOÇI

Çmimi i karburanteve në tregun e pakicës në vend vazhdon të eksperimentojë me durimin dhe indiferencën e konsumatorit shqiptar. Që prej fillimit të dhjetorit të vitit që lamë pas e deri sot, çmimet e karburanteve kanë vijuar vetëm të rriten, në një kohë që konsumatorët vijojnë ta blejnë me gjithë shtrenjtimin. Dje në pikat e shitjes me pakicë në kryeqytet tregtarët e shitën benzinën pa plumb me çmimin 162 lekë për litër, ndërkohë që 2 lekë më pak për një njësi vëllimi u shit edhe nafta eurodiesel. Duke filluar nga java e kaluar, çmimi i naftës dhe benzinës ka shënuar rritje me mbi 5 lekë për litër. Rreth një muaj më parë, një litër benzinë në Tiranë shitej me 145 deri 149 lekë, në një kohë që dje ajo shitej me 158 lekë, madje në pika të caktuara shkoi edhe deri në 160 lekë për litër. Të njëjtin ritëm rritjeje ka shënuar edhe nafta. Më parë një litër naftë shitej me pakicë nga karburantet me një çmim që varionte nga 143 në 146 lekë për litër, ndërsa tani të njëjtën sasi nafte mund ta marrësh vetëm duke paguar nga 153 deri në 155 lekë për litër. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se çmimi i karburanteve shënon gjithmonë rekordin në zonën Tiranë-Durrës aty ku dhe konsumi është më i lartë. Mjafton të bësh një xhiro në akset kombëtare drejt veriut, veri-lindjes, apo dhe jugut dhe shikon se tabelat e stacioneve të tregtimit të karburanteve mbajnë vlera deri në 10 lekë më të ulëta se ato të zonës Tiranë-Durrës. Një gjë e tillë të bën të mendosh menjëherë për abuzim nga ana e tregtarëve të pakicës, por ajo që është edhe më e çuditshme është fakti që kompanitë më prestigjioze që kanë edhe shitjen më të lartë kanë edhe çmimet më të shtrenjta.

Importuesit
Rritjen e menjëhershme të çmimit të karburanteve, importuesit e lidhin me zhvillimet në tregjet e jashtme dhe të brendshme. Ka disa ditë që çmimi i naftës ka filluar të kuotohet më shtrenjtë në bursat ndërkombëtare duke e pasqyruar atë direkt edhe në tregun vendas. Sipas njërit prej përfaqësuesve të grosistëve të hidrokarbureve, Viktor Nushi, çmimet do të mbeten të larta. Ai thotë se çmimi i naftës nuk vendoset nga Shoqata e Hidrokarbureve dhe se nuk ka abuzime siç pretendohet, pasi në vendosjen e çmimit ndikojnë faktorët e jashtëm dhe të brendshëm. Ai ka vlerësuar gjithashtu se, politikat financiare shtetërore ndikojnë në mënyrë direke në rritjen e çmimit. Ekspertët e ndryshëm të ekonomisë theksojnë se në mbajtjen e çmimeve të larta, ka padyshim abuzime, si nga shteti, ashtu dhe nga privatët. Shtrenjtimi i karburanteve dhe disa produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare po jep pasoja edhe në Shqipëri, por në vendin tonë efektet e rritjes janë disa herë më të mëdha. Specialistët thonë se amplifikimi i rritjes është pasojë e zhvlerësimit të lekut. Ata këshillojnë që të ndërhyhet me masa fiskale për të zbutur shtrenjtimin e karburanteve.

Kostoja e karburanteve
Çmimi i karburantit formohet nga më shumë se dy elemente. Së pari, nga çmimi i bursës (Platts) dhe çmimi i transportit nga pika e furnizimit deri në hyrje të territorit shqiptar (ky çmim është frekuent, ndryshon me orë dhe varet nga koniunktura botërore e çmimit të naftës). Së dyti, nga kursi i këmbimit USD/lekë, i cili gjithashtu është variabël, i ndryshueshëm (burimi: Reuters, Bloomberg, BSH). Nga studimi i tregut, dy treguesit e mësipërm nuk kanë mundur asnjëherë të përbëjnë më shumë se 40-45% të çmimit real të tregut për një litër karburant. Elementi i dytë, jo më pak i rëndësishëm në analizën e formimit të çmimit të një litri karburant, që përbën 55-60% të çmimit real përbëhet nga: 1) Akciza, që tashmë është fikse, 37 lekë/litër karburanti; 2) Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH = 20%); 3) Taksa e karbonit aktualisht 1 lekë/litër; 4) Taksat portuale, aktualisht 580 lekë/ton për naftën dhe për benzinën 1139 lekë/ton; 5) Shpenzimet e shkarkimit të anijeve, taksa e kalatës, e zjarrfikëseve, e rimorkimit në rast stuhie për të dalë në radë anija cisternë etj.; 6) Kompanitë paguajnë Inspektoratin Qendror Teknik për analizën e cilësisë së produkteve. Kjo është “faza e parë” e taksave të paguara nga shoqëritë e hidrokarbureve, që e çon produktin deri në depozita. Në një fazë tjetër, kur produkti i drejtohet tregut të shumicës, analiza kërkon përfshirjen e tarifave të tjera si tarifa e gjelbërimit, ajo e reklamës, tarifa e tabelës, e pastrimit apo edhe taksa e pasurisë. Të gjitha këto janë detyrim ligjor dhe paguhen “deri në një” nga çdo subjekt i licencuar. Por, duhet të mos harrojmë se, në këtë fazë të shitjes (shitja me shumicë e hidrokarbureve) detyrime të tjera kanë të bëjnë me pagesat për Drejtorinë e Peshëmatjes dhe Kalibrimit, IQT-së etj. Sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët e sektorit, totali i taksave dhe tarifave që paguhen në territorin shqiptar për një ton karburant të shitur është saktësisht 765 dollarë amerikanë. Kjo do të thotë që çdo operator i licencuar në tregun e hidrokarbureve, për çdo litër naftë të shitur derdh në buxhetin e shtetit 765 USD/ton. Kjo do të thotë se rreth 55% e çmimit total të produktit të shitur është taksë fikse, që nuk mund të shmanget kurrsesi dhe as që ka lidhje me koniunkturën ndërkombëtare. Përveç kësaj, kompanitë janë pothuajse të gjitha klientë të bankave të nivelit të dytë me kredi qindra milionëshe dhe me problem të paaftësisë paguesve të interesave të këtyre kredive.

Taksa e karbonit, tjetër element shtrenjtimi

Taksa e karbonit e rritur sëfundi është një tjetër element që përmendet si faktor shtrenjtimi i çmimit fundor (me pakicë) për karburantet. Ligji parashikon rritjen 200% të taksës së karbonit. Në të gjitha vendet e BE-së përdoret taksa e karbonit, e cila aplikohet mbi sasitë e emetimit të gazit karbonik (CO2) në natyrë. Kjo taksë është paguar deri sot për çdo litër gazoili, benzinë dhe benzoli të importuar apo të prodhuar në vend. Në Shqipëri nuk ka ende struktura të specializuara që të mund të përcaktojnë sasitë e emetimit të “CO2” nga përdorimi i lëndëve djegëse, në kuadër të mbrojtjes së mjedisit. Qeveria ka kërkuar rishikimin me synim rritjen e taksës së karbonit nga 0.5 lekë për benzinën dhe benzolin në 1.5 lekë/litër dhe nga 1 lek/litër për gazoilin në 2 lekë/litër për këtë produkt. Ky dyfishim i taksës së karbonit i shton buxhetit të shtetit rreth 800 milionë lekë të ardhura vjetore. Por edhe kjo taksë do t’u shkarkohet konsumatorëve të karburanteve dhe ata do të vijojnë të thithin të njëjtën sasi “CO2” si deri më sot, pasi nuk ka asnjë shans që kjo të përdoret për reduktimin e ndotjes dhe për mbrojtjen e mjedisit.

Kursi valutor, euro forcohet përballë lekut, dobësohet dollari

Monedha europiane euro është forcuar lehte gjatë kësaj jave, ndërsa dollari është dobësuar. Në javët e fundit të vitit që lamë pas, euro shënoi vlera të larta në tregun e këmbimit valutor, duke krijuar një pozitë të fortë kundrejt lekut dhe monedhave të tjera ndërkombëtare. Në tregun valutor, një euro është këmbyer nga agjencitë e këmbimit valutor me 138.2 lekë në blerje dhe 138.7 lekë në shitje. Ndërsa monedha amerikane, gjatë kësaj jave ka humbur terren ndaj monedhës vendase, ku është blerë me 103.3 lekë dhe është shitur 104 lekë. Agjentët valutorë, luhatjen e kursit e shpjegojnë me lëvizjet e shpeshta të kërkesës nga tregu i brendshëm këtë fillim viti. Sipas tyre, parashikohet që ky nivel kursi euro/lekë do të jetë edhe për disa ditë në vazhdim. Parashikimi i ekspertëve të ekonomisë, është se kjo situatë do të vazhdojë deri në fund të janarit.

Trichet: “Vendet e zonës euro, të reduktojnë borxhet publike”

BERLIN- Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet theksoi dje në një intervistë për shtypin gjerman se, priste nga vendet e zonës euro që të bënin më shumë përpjekje për reduktimin e borxhit të tyre publik. "BCE pret nga qeveritë e zonës euro që të ndërmarrin përpjekje më të mëdha për reduktimin e borxhit'',- nënvizoi francezi në një intervistë për të përditshmen gjermane ''Bild''. "Disa vende duhet të gjejnë kontrollin për borxhin e tyre'',- shtoi ai. "Ne nuk kemi krizë të euros, por ne kemi një krizë të financave publike në disa vende të zonës euro'',- theksoi kryebankieri evropian. "Të gjitha qeveritë duhet të bëjnë përpjekje për rregullimin e financave të tyre",- shtoi ai. Presidenti i BCE-së nuk resht së përsërituri këto muajt e fundit, se një politikë buxhetore e shëndetshme do të ishte e rëndësishme për shëndetin e ekonomisë në zonën euro.

17 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›