Shkozeti shndrohet në qendrën më të madhe të transportit rrugor

Rreth 3 km në juglindje të Durrësit ndodhet Shkozeti, një nga zonat që ka pësuar ndryshime intensive. Vetëm gjatë këtij dhjetëvjeçari pranë këtij territori janë ndërtuar arteriet e reja rrugore Durrës-Tiranë dhe Durrës-Rrogozhinë, ndërsa mbikalimi i urës së Dajlanit, e ktheu Shkozetin në stacionin e fundit rrugor në prag të hyrjes për në portin më të madh të vendit.
Shkozet-Plepa, kompleksi rrugor 12.8 milion euro
Këto ditë në në këtë zonë ka nisur puna për ndërtimin e by pass-it Shkozet-Plepa, një kompleks rrugor me gjatësi të përgjithshme 7 km, i cili do të plotësojë lidhjet e drejtpërdrejta moderne infrastrukturore të rrugëve të jugut të vendit me superstradën që vijon drejt Tiranës dhe veriut të Shqipërisë.
Ky sistem do të lehtësojë transportin e mallrave që mbërrijnë në port apo që largohen përmes akseve të rrugëve të mëdha, e mbi të gjitha do të shmangë kalimin e mijëra mjeteve të rënda, të cilat më parë shfrytëzonin rrugët e qytetit bregdetar apo bulevardin e Plazhit më të madh të vendit.
Burime nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve bëjnë të ditur se do të jetë një vepër mjaft e rëndësishme, e cila financohet nga qeveria e Kuvajtit me 12.85 milion euro.
Në një gjërësi prej 35.5 metra, automjetet e rënda dhe kalimtarët do të gjejnë bashkë me rrugën kryesore me katër korsi që ndahet nga një brez i gjebëruar edhe dy rrugë anësore shërbimesh, katër rrethrrotullime si dhe nënkalimin hekurudhor të Shkozetit.
Gjithçka do të jetë gati në më pak se dy vjet garantojnë burimet e MPPTT, sipas të cilave rrugët më të rëndësishme të vendin kryqëzohen pikërisht këtu 3 km larg qytetit bregdetar të Durrësit.
Pas viteve 1990 Shkozeti, që më parë përbënte një lloj ishulli industrial për qytetin bregdetar u kthye natyrshëm në një lagje masive.
Në të dy anët e rrugës kombëtare Durrës-Tiranë ish-ndërmarrjet e mëdha që nisën të privatizohen u shndërruan në biznese të vogla, mjaft produktive dhe në shërbim të subjekteve më të mëdha që po ndërtoheshin sipas koncepteve të reja dhe moderne.
Minifabrikat për prodhimin e qeseve plastike, repartet e konfeksioneve dhe të veshmbathjes që punojnë me sistemin fason, serviset e automjeteve dhe pikat e tregtimit të lëndëve të para të ndërtimit populluan këtë territor, së bashku me godinat e banimit, një pjesë e të cilave më parë kishin qenë depo të mëdha dhe që u adoptuan për familjet e shumta të pastreha në fund të viteve 1980.
Sipas statistikave në Shkozet aktualisht funksionojnë mbi 500 biznese të ndryshme shërbimi, tregtie dhe prodhimi.
Bazat grosiste të ngritura 30-40 vjet më parë tashmë shërbejnë si depo mallrash për tregtarët e mëdhenj që operojnë në sistemin e import-eksporteve përmes portit detar të Durrësit.
Shkozeti është pika më e afërt me portin më të madh të vendit dhe vlera e tyre ekonomike rritet çdo ditë. Proçesi i privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha të kësaj zone si dhe krijimi i rrjetit modern të by pass-eve dhe unazave rrugore do ta bëjnë Shkozetin një qendër mjaft të preferuar tragtare dhe transporti.
80 vjet histori
Shkozeti njihet si një nga zonat më të mëdha industriale në shkallë vendi. Punishtet e para në shërbim të bizneseve vendase dhe të huaja u ngritën gjatë periudhës së monarkisë rreth 80 vjet më parë, ndërsa pas çlirimit të vendit në sipërfaqen prej afro 900 hektarë u ndërtuan uzina dhe fabrika.
Tharja e ish-kënetës në vitet 1960 e përmirsoi situatën e këtij territor, që sidoqoftë herë pas here përmbytet nga shirat e shumtë. Duke nisur nga vitet 1950 në Shkozet u ndërtuan disa nga ndërmarrjet mekanike të vendit. Ndërmarrja e prodhimit të serave, ajo e bonifikimit dhe uzina e mjeteve bujqësore ishin tre nga mbështetëset e prodhimit bujqësor. Fabrika e prodhimeve të gomës dhe ajo plastike përsuan disa zgjerime në vite. Numri i punonjësve durrsakë që i drejtoheshin çdo mëngjes me autobuzë urbanë zonës së Shkozetit arriti në 12-13 mijë. Mirëpo numri shumë i lartë i punonjësve për çdo njësi prodhimi si dhe importi i lëndëve të para për prodhimet e mëdha dhe të bujshme i mbanin në nivele mjaft të ulta rendimentet e këtyre ndërmarrjeve gjigante për kushtet e vendit tonë. Në ditët e sotme, zona e ashtëquajtur "industriale” e Shkozetit, po rikthehet fuqishëm si nyja më e madhe e transportit rrugor në shkallë vendi.
...