KQZ nis shqyrtimin për ankimimet e PD dhe PS për kutitë e Fierit

KQZ ka nisur sot pasdite shqyrtimin e kërkesave ankimore të paraqitura nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, që kundërshtojnë vendimet për tabelat e rezultateve zgjedhore në disa KZAZ të Qarkut të Fierit. Ankesat e dy forcave politike meqë kanë objekt të njëjtë do të shqyrtohen së bashku. Ankimimi i paraqitur nga PD në mbledhjen e djeshme të Komisionit kundërshton tabelën e rezultateve përmbledhëse të KZAZ-së nr. 19 dhe nr. 20 në Qarkun Fier, duke kërkuar rivlerësim dhe rinumërim të votave. Ndërsa kërkesa ankimore e PS-së, e depozituar më herët në KQZ, kundërshton rezultatet zgjedhore në katër KZAZ të këtij qarku (ato me nr. 18, 19, 20 dhe 22), duke u shprehur për rinumërim të 9 kutive të votimit. Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, në zgjedhjet e 28 qershorit në Qarkun e Fierit koalicioni i djathtë "Aleanca e Ndryshimit" fitoi 7 mandate, koalicioni i majtë "Bashkimi për ndryshim" 8 mandate dhe koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim" 1 mandat.
...