Shkreta: Të zbardhet çështja ose marr peng 300 fëmijë

"Nëse Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla nuk zbardh çështjen time dhe nuk vendos drejtësi, unë do të marr peng një shkollë me 200-300 fëmijë dhe do t'u vë eksploziv".
Kjo është deklarata që vjen nga Emanuel Shkreta, i cili tashmë është përfshirë në një histori hakmarrjeje me familjen Llani, në Mamurras, edhe pse dikur kanë qenë miq fëmijërie.
Për "Gazetën Shqiptare", Leli, siç e thërrasin shkurt, lëshoi këtë paralajmërim për Prokurorin e Përgjithshëm të vendit, duke i kërkuar atij edhe një takim, ku mund të zbardhet e vërteta e çështjes që ka shënuar deri tani 3 viktima.
I lodhur nga sistemi i drejtësisë shqiptare, djali i familjes Shkreta rrëfen se drejtësia duhet të japë dënimin maksimal për armikun e betuar të tij, Jetmir Llanin, ose në të kundërt ai do ta vrasë me duart e tij.
“Unë e ftoj z.Llalla që, nëse ka burrëri, të vijë të ulet me mua, edhe si burri-burrit, edhe para ligjit, dhe të zbardhim të vërtetën e çështjes sime dhe të familjes Llani, pasi mua më ka vdekur vëllai, babai, jam plagosur vetë, një vëlla e kam në burg dhe kryeprokurori duhet të vendosë drejtësi. Madje, unë përmes gazetës suaj dua ta paralajmëroj kryeprokurorin se, nëse ai nuk e zbardh çështjen time, nëse drejtësia nuk vihet në vend, unë i vdekur që i vdekur jam, nuk më ngelet zgjidhje tjetër veç kësaj që do them. Nuk është aspak çudi që një ditë - që mund të mos jetë shumë larg - unë të marr peng një shkollë në kryeqytet, me 200-300 fëmijë, dhe t'i hedh në erë me eksploziv. Nuk është fare e vështirë, mjafton vetëm një shtypje butoni dhe nuk është çudi që kjo shkollë të jetë edhe një prej atyre ku studiojnë fëmijët e këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kërkoj vetëm drejtësi”, ka deklaruar Shkreta./Indeksonline/