E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrihen ndërmarrjet, largohen nga puna 150 punëtorë

Reforma

KUçOVë: Reforma e ristrukturimit të ndërmarrjeve shtetërore vazhdon të rrisë shifrën e të papunëve në qytetin e Kuçovës. Burimet të konfirmuara njoftojnë largimin nga puna të rreth 150 punonjësve të sektorit të naftës në Kuçovë, që nga data 1 qershor 2010. Po këto burime konfirmuan se me vendimin nr. 275, datë 26.04.2010 të Këshillit të Ministrave, dy ndërmarrjet shtetërore, Ndërmarrja e Shpim-Kërkimeve për naftë e gaz dhe Uzina Mekanike e Naftës në këtë qytet do t'i bashkohen ndërmarrjes "Albpetrol" sh.a. në Patos. Sipas vendimit në fjalë, bashkimi i tyre do të bëhet me anë të përthithjes, ku të gjitha kapitalet e tyre do t’i kalojnë "Albpetrolit” me transferim kapital dhe punonjësit e tyre do të dalin në reformë. Po sipas vendimit nr. 275, datë 26.04.2010, nga puna do të largohen edhe disa dhjetëra punonjës të vetë "Albpetrolit", për shkak të ristrukturimit të saj, por edhe mbi 80 punonjës të Uzinës Mekanike të Naftës në Patos dhe se të gjithë punonjësit që do të dalin të papunë, por që kanë punuar në këto ndërmarrje më shumë se 1 vit pa ndërprerje, do të përfitojnë nga ky vendim që nga data e hyrjes së tij në fuqi, pagesën e plot mujore për një periudhë 1-vjeçare. Në përfundim të kësaj periudhe, punonjësit e dalë si të papunë kanë të drejtë të aplikojnë për të ardhurat nga papunësia në zyrat e punësimit. Punonjësit që dalin të papunë përfitojnë edhe sigurimet shoqërore për periudhën 1-vjeçare për efekt përfitimi për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar, kundrejt pagesës së kontributit në fondin e sigurimit të detyrueshëm shoqëror nga "Albpetrol" sh.a. dhe për këtë periudhë bëhet shënimi përkatës për pagesën në librezën e punës. Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe fondin përkatës, si shtesë në buxhetin e vitit 2010, prej 600.5 milionë lekësh për kryerjen e pagesave për punonjësit që dalin të papunë nga ky ristrukturim i "Albpetrolit" sh.a. Pagesa, sipas këtij vendimi, ndërpritet kur përfituesit zhvillojnë veprimtari ekonomike në formën e punësimit ose vetëpunësimit. Vendimi në fjalë detyron "Albpetrolin" sh.a. të marrë mbi vete të gjitha detyrimet financiare që ndërmarrjet e shkrira u kanë të tretëve. Shkrirja e ndërmarrjeve u është bërë e ditur të gjithë punonjësve të Ndërmarrjes së Shpim-Kërkimeve dhe Uzinës Mekanike të Naftës në Kuçovë, po në se me uzinën ky problem është pritur me indinjatë dhe më pasi të gjithë kanë qenë të detyruar t’i binden vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, ndryshe qëndron puna me atë të Shpim-Kërkimeve, pasi prej saj largohen vetëm 20 punëtorë. Burime nga ndërmarrja konfirmuan se një listë e parë u afishua për disa ditë në ambientet e ndërmarrjes dhe pas sherreve e zallamahisë së shfaqur mes punëtorëve dhe drejtuesve aktualë lista u zhduk për t’u zëvendësuar me një tjetër syresh me emra të tjerë. Shumë nga punëtorët u shprehën se nuk do të pranojnë të largohen me dëshirë nga puna dhe se do të futen në grevë urie për këtë të drejtë të tyre. Por, krahas tyre, reforma e shkurtimeve drastike nga puna do të prekë edhe qendrën e prodhimit të naftës në qytetin e Kuçovës, ku thuhet se do të largohen mbi 100 punonjës, nga rreth 450 të tillë që kjo ndërmarrje ka aktualisht.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›